Përshëndetje e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri në aktivitetin e KVV.
E mërkurë, 14 qershor 2017,
Të nderuar përfaqësues të Trupave Diplomatikë,
Të nderuar drejtues të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë,
Të nderuar vëzhgues,
Të nderuar përfaqësues të medias dhe të pranishëm,
Ndihem i privilegjuar të adresoj këtë përshëndetje në Eventin e organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, për shpalljen e Aksionit të Vëzhgimit për Zgjedhjet e 25 Qershorit!
KVV vëzhgon zgjedhjet prej 2005, unë jam anëtar i KQZ prej 2000. Për shkak të detyrës, jam dëshmitar i punës së madhe dhe gjithnjë e më cilësore të këtij bashkimi organizatash, angazhimit real dhe demokratik të tyre si pjesë e shoqërisë civile në proceset zgjedhore.
Angazhime civile si i KVV, janë ato të cilat kanë ndikuar fort në rritjen e ndërgjegjes qytetare, dhe forcimin e kulturës zgjedhore tek shtetasit, por njëherazi kanë dhënë kontribut në punën e organeve të ngarkuara për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, ku padyshim KQZ është përfituesi më i drejtpërdrejtë.
KVV, me vëzhgimin e proceseve zgjedhore në vite, i ka shërbyer rritjes së rolit dhe besimit të qytetarëve shqiptarë në integritetin e proceseve zgjedhore në vendit, duke ndikuar jo pak në zbehjen e klimës së mosbesimit që partitë politike jo rrallë herë kanë krijuar.
KQZ për zgjedhjet e datës 25 qershor, ka akredituar një numër të madh vëzhguesish të organizatave ndërkombëtare dhe organizatave vendase, të cilët do të jenë garancia më e madhe e standarteve të procesit. Duke i shprehur mirënjohjen çdo organizate dhe çdo individi të angazhuar në këtë mision të rëndësishëm, do të më mirëkuptoni të shpreh konsidertë të veçantë për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë, zërin kritik, njëherazi ndër më të shëndetshmit për rritjen e standarteve të procesit zgjedhor, dhe veçanërisht të performancës së KQZ !
Në emër edhe të kolegëve të mi, po përfitoj nga rasti për të përcjellë një mesazh të shkurtër për vëzhguesit e akredituar:
Së pari, shprehem besiminplotë, se vëzhguesit e KVV, ashtu sic kanë dëshmuar profesionalizmin e tyre edhe në proceset pararendëse, do të kryejnë vëzhgimin në përputhje me përcaktimet e ligjore, duke kryer vëzhgimin dhe mbledhjen e informacionit për zbatimin e kërkesave të kuadrit ligjor zgjedhor, pa ndërhyrë në punën dhe aktivitetin e administratës zgjedhore, duke dëshmuar sërish më 25 qershor, objektivitet, profesionalizëm në gjykim, paanësi, transparencë dhe saktësi në informacion;
Së dyti, t’ju falënderoj për angazhimin në realizimin e një misioni kaq të rëndësishëm, që i bën shërbimin më të mirë klimës së qetë dhe demokratike që votuesit shqiptarë krijojnë me pjesëmarrjen e tyre masive në votim, si dëshmi e vlerave të qytetarisë dhe të shpirtit të tyre demokratik;
Së treti, si Kryetar i KQZ, por edhe si qytetar i këtij vendi ju falënderoj, për angazhimin tuaj civil, me domethënie të madhe për demokracinë dhe shtetin e së drejtës; është koha që me punën, përkushtimin, shoqëror, civil dhe institucional, të dëshmojmë se Shqipëria zhvillon procese zgjedhore të standarteve më të larta demokratike!
Ju faleminderit e punë të mbarë!