Sot u zhvillua trajnimi mbi “Auditimin e raporteve të financimit të partive politike dhe të fushatës zgjedhore”, i organizuar nga Zyra e Këshillit Evropian në Tiranë në kuadër të Projektit kundër Krimit Ekonomik i bashkëfinancuar nga KiE dhe BE.
Trajnimi kishte qëllim prezantimin e modeleve të raporteve të auditimit të financimit të fushatës zgjedhore, raporteve të monitorimit të ekspertëve financiarë dhe raportet vjetore të partive politike, si edhe prezantimi i udhëzimeve dhe mjeteve për auditimin e llojeve të ndryshme të raporteve.
Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri vlerësoi mbështetjen dhe ekspertizën që Këshilli i Evropës dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI) po japin për Komisionin, Administratën dhe për ekspertët financiarë e auditët e liçensuar në fushën e financimit të partive politike.
Zoti Zguri theksoi se; “Korrupsioni në financim është rruga pa shpëtim, është shit-blerje e votës, është abuzim me resurset shtetërore, është rrënim i paritetit në garë, është dhunim i vullnetit të lirë të zgjedhësve, është kapje e pushtetit politik nga krimi dhe antishteti. Ndaj të gjithë ne duhet të japim kontributin tonë për të rritur transparencën e financimit të partive politike”.
Nga ana e tij, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, z. Claus Neukirch tha se; “Transparenca e financimeve dhe shpenzimeve të partive politike është në interes të demokracisë dhe zhvillimit të Shqipërisë. Për këtë qëllim, roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vendimtar dhe duhet të shihet në kontekstin e një zinxhiri më të gjerë llogaridhënieje që nevojitet për të mbështetur një sistem të rregulluar financiarisht. Ndaj ne do të vazhdojmë të ndihmojmë KQZ-në dhe Shqipërinë për të adresuar mangësitë e GRECO dhe për ta afruar vendin me standardet dhe praktikat e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Europian ku sundimi i ligjit është një vlerë thelbësore”.
Ky trajnim u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme mbështetje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me synimin e forcimit të kapaciteteve të tij për auditimin në mënyrë efikase të raporteve financiare të partive politike gjatë vitit kalendarik dhe fushatës zgjedhore.