Deklarata e Zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj.
Komisoni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të 21 qershorit, bën me dije se është në përfundim procesi i prodhimit të shabllonëve për zgjedhësit të cilët nuk shikojnë. Shabllonët do t’i japin mundësi këtyre zgjedhësve që të ushtrojnë të drejtën e votës, vetë dhe pa u asistuar nga të tjerë. Është hera e parë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arrin të përmbushë këtë angazhim, i cili përtej detyrimit ligjor është detyrim moral. Në çdo Qendër Votimi, për të dy fletët e votimit, do të jenë të disponueshme shabllonët përkatës. KQZ për të bërë realitet mesazhin që përcolli për këtë kategori, “të kesh aftësi të kufizuar fizike, nuk do të thotë të ndihesh i kufizuar për të ushtruar të drejtën e votës”, në bashkëpunim të ngushtë dhe me organizatat përfaqësuese, me vendosmëri, pavarësisht vështirësive si; 2 Fletë votimi me përmbajtje të ndryshme për secilën nga 61 bashkitë, apo vështirësi teknike të alfabetit brail, u investua përmes vendimmarjes së tij që ky proces të përmbyllet me sukses.
Modelet e shablloneve i janë shpërndarë organizatave përfaqësuese, për të bërë të mundur që këta zgjedhës të njihen paraprakisht me to dhe ditën e votimit t’i përdorin me lehtësi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është investuar në mënyrë të vazhdueshme për zgjedhësit me aftësi të kufizuar, për t’i krijuar brenda mundësive, secilës kategori, kushte optimale përshtatshmërie në Qendrat e Votimit ku ata janë të regjistruar.
Baza e të dhënave e krijuar për herë të parë në vitin 2013, se sa janë dhe ku votojnë zgjedhësit me aftësi të kufizuara, i është shpërndarë të gjithë institucioneve me qëllim bashkërendimin e punës për krijimin e kushteve të përshtatshmërisë, sikundër është ndërtimi i rampave. Kodi Zgjedhor nuk e ngarkon KQZ me përgjegjësinë e krijimit të përshtatshmërisë dhe e ndërtimit dtë rampave në çdo objekt ku janë të vendosura qendrat e votimit. Megjithatë, KQZ me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar, ka arritur të ndërtojë rampa të përhershme në disa qytete të vendit dhe brenda mundësive të tij në disa objekte ku ka shumë QV, ditën e zgjedhjeve do të vendosë rampa druri.
Me vetëdijen për problematikën e hasur në zgjedhjet e kaluara, KQZ në mënyrë të vazhdueshme, që nga fillimi i periudhës zgjedhor i ka kërkuar kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, vendosjen e Qendrave të Votimit ku ka të regjistruar zgejdhës me aftësi të kufizuara, në katet e para të objekteve.
1- Punësimi i 12 personave me aftësi të kufizuar si Inspektorë Rajonalë Zgjedhorë, për të ndjekur nga afër problematikat e kësaj kategorie zgjedhësish në procesin e votimit.
2- Përshtatja e të gjithë spoteve, sensibizliues dhe informues në gjuhën e shenjave;
3- Punësimi pranë adminstratës së KQZ-së i dy personave me aftësi të kufizuar’
4- Prodhimi i spotit televiziv dhe posterit specifik për personat me aftësi të kufizuar;
janë elementë të cilët dëshmojnë përkushtimin e KQZ-së për të krijuar lehtësitë e nevojshme që zgjedhësit me aftësi të kufizuar tëushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë vetjake dhe pa pengesa.
Pavarësisht këtyre standardeve që ky proces zgjedhor po vendos për këtëa zgjedhës, raportet dhe problematikat që Inspektorët me Aftësi të Kufizuara do të paraqesin pranë KQZ, në përmbyllje të procesit zgjedhor, do të jenë baza e punës së KQZ-së në këtë drejtim për zgjedhjet e ardhshme.