Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi (Lleshi) ka takuar Drejtorin e Programit Ndërkombëtar të Raportimeve për Demokracinë, z. Robert Adams

dhe Drejtorin Ekzekutiv të Organizatës për Raportimet Ndërkombëtare mbi Demokracinë (Electoral Reform International Services, ERIS) z. Andrew Bruce.

Takimi u zhvillua në kuadër të misionit që organizatat Electoral Reform International Services dhe Democracy Reporting International kanë në Shqipëri për vlerësimin e nevojave mbi qeverisjen dhe zgjedhjet demokratike.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i njohu z. Adams dhe z. Bruce me punën e KQZ për zgjedhjet e 23 qershorit, zgjedhjet e pjesshme të datës 1 shtator 2013 dhe të datës 3 nëntor 2013.

Znj. Luzi (Lleshi) tha se pavarësisht përfundimit të procesit zgjedhor, KQZ vijon punën për edukimin dhe sensibilizimin e zgjedhësve. “Synimi ynë është trajnimi i të gjithë aktorëve të procesit zgjedhor, edukimi dhe sensibilizimi i zgjedhësve për të drejtën e votës dhe procesin zgjedhor pasi kjo do të ndikojë në përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Kryetarja e KQZ-së.

Në takim u diskutua gjithashtu mbi prioritet e KQZ-së për zgjedhjet e ardhshme dhe mundësinë e bashkëpunimit mes KQZ-së dhe organizatës së Shërbimeve Ndërkombëtare të Reformave Elektorale e Organizatës për Raportimet Ndërkombëtare mbi Demokracinë.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE