KQZ vëzhgon zgjedhjet në Maqedoni
Me ftesë të Komisionit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë, Kryetarja dhe anëtarët e KQZ-së vëzhguan zhvillimin e zgjedhjeve të datës 27 prill në Maqedoni, raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Ditën e shtunë më datë 26 prill, në ambjentet e KSHZ të Maqedonisë, delegacioni shqiptar u prit në takim pune nga Zv. Kryetari, z. Suhbi Jakupi, dhe anëtarët znj. Violeta Duma, znj. Aneta Stefanovska, z. Vlatko Sajkkosku, z, Sasho Srcev.
Zv. Kryetari Jakupi, duke uruar mirëseardhjen, shprehu kënaqësinë për vizitën e Kryetares dhe anëtarëve të KQZ-së të Shqipërisë, dhe shprehu besimin se vëzhgimi nga afër i ditës së votimit, do të krijojë për delegacionin shqiptar një tabllo shumë të qartë të procesit zgjedhor në Maqedoni, ecurisë dhe problematikave të tij. Me kënaqësi, ai theksoi se “KSHZ i Maqedonisë, duke vlerësuar mendimin dhe ekspertizën e homologëve shqiptarë, jep akreditimin si vëzhgues për delegacionin shqiptar për të gjithë qendrat e votimit në të gjithë territorin”.
Më tej, zv. Kryetari Jakupi, duke prezantuar punën përgatitore për përgatitjen e zgjedhjeve, falenderoi KQZ e Shqipërisë, për ndihmën dhe konsulencën e dhënë për administrimin e disa aspekteve teknike të procesit zgjedhor, si boja matrikuluese etj.
Kryetarja Luzi, në emër të delegacionit shqiptar, falenderoi për ftesën dhe mundësinë e dhënë për vëzhgimin nga afër të qendrave të votimit, dhe shprehu bindjen se shkëmbimi i eksperiencave pas këtij momenti, do t’i shërbejë të dy organeve të administrimit të zgjedhjeve të dy vendeve fqinje të rajonit, me problematika dhe sfida të përafërta.
Ditën e dielë, delegacioni shiptar vëzhgoi nga afër zhvillimin e procesit të votimit në një numër të madh qendrash votimi.
Axhenda e vëzhgimit të ditës së zgjedhjeve nga ana e delegacionit shqiptar, u harmonizua me axhendën e delegacionit të KQZ-së së Republikës së Kosovës, i cili gjithashtu ishte akredituar për vëzhgimin e procesit zgjedhor të datës 27 prill në Maqedoni.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE