Zguri takon Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan.
Sot, Kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, z. Klement Zguri priti në takim z. Robert Benjamin, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan, i cili shoqërohej nga znj. Ana Kovacevic, Drejtoreshë e NDI për Shqipërinë dhe z. Vildan Plepi, Këshilltar i NDI.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin dhe arritjet e deritanishme falë asistencës teknike që NDI i ka ofruar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me financimin e partive politike në vendin tonë, si edhe vijimi i bashkëpunimit në muajt në vazhdim.
Kryetari i KQZ-së, i shprehu mirënjohjen z. Benjamin për mbështetjen që Instituti Demokratik Amerikan në bashkëpunim dhe me partnerët e tjerë Ambasadën Britanike dhe USAID, i kanë dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zguri tha se, puna e mirë e bërë nga KQZ në lidhje me financimin u vlerësua pozitivisht edhe në Raportin e OSBE/ODIHR, dhe kjo u arrit në sajë të asistencës që NDI dhe partnerët i dhanë Komisionit.
Zguri u shpreh se transparenca e financimit të partive politike është me rëndësi të veçantë në përmirësimin e procesit zgjedhor, ndaj në rast së do të ketë ndryshime të Kodit Zgjedhor në lidhje me financimin, mbështetja e NDI do të ishtë thelbësore në përmbushjen dhe realizimin me sukses të detyrave që KQZ do të ketë në këtë drejtim.
Nga ana e tij, Drejtori Rajonal i NDI, z. Robert Benjamin u shpreh i kënaqur me arritjet e deritanishme të bashkëpunimit dhe theksoi se çeshtjet e financimit të partive politike janë thelbësore për rritjen e besimit të publikut në proceset zgjedhore, ndaj mbështetja ndaj KQZ-së do të vijojë.