Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Klement Zguri mori pjesë në konferencën për rritjen e pjesëmarrjes së grave, pakicave kombëtare dhe personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.
Konferenca është pjesë e projektit të OSBE/ODIHR-it “Mbështetje për zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim dhe u organizua nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Më poshtë do të gjeni fjalën e plotë të Kryetari të KQZ-së, z. Klement Zguri.
Përshëndetje të gjithëve,
Ndërhyrja ime në këtë aktivitet duhet të fokusohet tek prezantimi i praktikës shqiptare lidhur me pjesëmarrjen e grave, pakicave dhe personave me aftësi ndryshe në proceset zgjedhore. Por unë nuk mund të bëj një raportim të saktë të situatës, nëse nuk e fus atë në kontekstin e përgjithshëm politik dhe kulturor të vendit.
Në Shqipëri zgjedhjet janë temë qendrore e politikës. Për shkak të antagonizimit të fortë midis palëve, për shkak të kulturës së kontestimit, për shkak të defekteve të proceseve, apo të mungesës së aftësisë së mjaftueshme për të gjeneruar zgjidhje, agjenda jonë politike nuk ka arritur të shkëputet nga kjo temë, edhe kur zgjedhjet kanë qenë larg dhe prej tyre nuk pritej ndryshimi. Tema është aq shumë prezente, saqë të krijohet përshtypja se zgjedhjet nuk janë instrument i politikës, por qëllimi i saj.
Zgjedhjet i përkasin popullit, janë vendim i tij, thoshte Abraham Linkoln. Kultura jonë politike i trajton zgjedhjet si çështje e partive politike, jo si çështje e popullit votues, popullit vendimmarrës, popullit sovran. Partitë politike caktojnë rregullat e lojës sipas parimit të oportunitetit, jo sipas parimit të interesit më të lartë të publikut, caktojnë administratën zgjedhore, përfshirë KQZ-në, sipas parimit të kontrollit dhe besnikërisë politike, jo sipas parimit të profesionalizmit e të respektit dhe nënshtrimit ndaj ligjit, zgjidhin krizat e procesit sipas leverdisë së momentit, jo sipas kornizës ligjore.
Partitë politike tek ne kanë treguar mjaftueshëm se janë gati të bllokojnë dhe neutralizojnë organet ligjzbatuese, të trembin drejtësinë, të shkelin rregullat dhe manipulojnë vullnetin e zgjedhësve, vetëm për të fituar me çdo kusht zgjedhjet. Ky është një pushtet tepër i madh, i cili rëndom ushtrohet pa vetëfrenim.
Po e përshkruaj me këtë ngjyrim kulturën tonë politike dhe ndikimin e saj mbi zgjedhjet, jo për të shuar kuriozitetin e pjesëmarrësve, apo për të hapur ndonjë polemikë të padobishme. Dua të them se kjo kulturë politike nuk është ekskluzivitet i vendit tim. Shfaqje të saj, ku më shumë e ku më pak, ndeshen dhe në rajon. Prandaj, kur trajtojmë një temë me rëndësi rajonale si kjo e pjesëmarrjes së grave, pakicave dhe personave me aftësi ndryshe duhet të mbajmë parasysh se detyra e parë e madhe nuk është si të promovojmë kauzën, si t’i ndërgjegjësojmë më mirë grupet e shenjuara, si t’i inkurajojmë dhe mbështesim ata. Detyra e parë e madhe, për të gjithë rajonin është si t’i zmbrapsim elefantët e politikës, si t’i detyrojmë partitë politike të pranojnë se kuota gjinore, të drejtat e pakicave dhe kujdesi ndaj personave me aftësi ndryshe nuk janë opsion, por detyrim. Detyra e parë e madhe është të çrrënjosim këtë kulturë politike që qëllim sublim nuk ka popullin, por fitoren me çdo kusht, me çdo çmim.
Nga ky këndvështrim dua të sjell qasjen time, përjetimin tim ndaj çështjes.
Shqipëria është një vend që ka realizuar përparime serioze në forcimin e barazisë gjinore. Mekanizmat tanë ligjorë të barazisë, sidomos ai i kuotës gjinore, mund të konsiderohen pa frikë të nivelit më të përparuar. Kuota 30% në kandidim për parlamentin dhe kuota 50% në këshillat vendore tashmë janë realitet. Ato mund të konsiderohen si arritje të mëdha të shoqërisë shqiptare, të realizuara duke zmbrapsur politikën, duke i’u imponuar me sukses asaj. Por nuk mund të pretendojmë se kemi arritur edhe të edukojmë, të ndërgjegjësojmë dhe të emancipojmë politikën.
Kuota është kuotë kandidimi, por nuk është bërë ende kuotë përfaqësimi. Praktika e partive politike shqiptare tek ne ka mjaftueshëm raste të dorëheqjes së detyruar të grave përfaqësuese, për t’i lënë vendin burrave, aq sa praktika mund të quhet pa frikë fenomen. Ne ende nuk e kemi gjetur zgjidhjen për këtë fenomen, por shpresojmë shumë se reforma zgjedhore që pritet të miratohet, të adoptojë mekanizmat e duhur që kuota në kandidim të kthehet në kuotë të sigurt në përfaqësim.
Nëse fenomeni i dorëheqjeve të detyruara të grave nga përfaqësimi eliminohet me këtë reformë, atëherë kjo do të shënojë zmbrapsjen e dytë të madhe të rëndësishme të politikës dhe fitoren e dytë të madhe të parimit të barazisë gjinore, që nga koha kur u prezantua për herë të parë kuota gjinore në Shqipëri.
Hapi tjetër logjik dhe i pritshëm, në betejën midis shoqërisë së emancipuar dhe politikës konservatore, do ishte forcimi i prezencës së grave në lidershipin politik dhe institucional të vendit. Tema ka filluar të bëhet prezente dhe janë bërë hapa konkretë për të shkuar drejt bashkëdrejtimit gjinor të strukturave kapilare të partive politike. Ky është vetëm fillimi. Ndoshta në një të ardhme të afërt do flasim për kuotën gjinore në lidership. Zmbrapsja e tretë e madhe e politikës përballë parimit të barazisë gjinore, ndoshta nuk është larg.
Pjesa tjetër e arritjeve tona në fushën e barazisë gjinore janë arritje edukimi, ndërgjegjësimi dhe emancipimi. Këtu KQZ-ja ka pasur rol dhe ka shënuar suksese institucionale. Ne kemi një administratë zgjedhore që po i përfshin gjithnjë e më shumë gratë në administrimin e zgjedhjeve. Në zonat urbane prezenca e tyre në administrim është njohur dhe pranuar si vlerë e shtuar për komisionet zgjedhore. Në zonat rurale na duhet të punojmë më shumë për të zgjuar interesin e grave për procesin dhe për të nxitur aktivizimin e tyre. Nëse mund t’i ilustroj arritjet me gjuhën e shifrave, në rang vendi përfaqësimi i grave në KQV, pa ndihmën e kuotës gjinore, në zgjedhjet 2013 ishte 14%, në zgjedhjet 2015 ishte 15%, në zgjedhjet 2017 ishte 15.5%, në zgjedhjet 2019 ishte 21%.
Pjesëmarrjen e grave në administrimin e zgjedhjeve ne e konsiderojmë të rëndësishme në procesin e edukimit zgjedhor, sepse më shumë aktivizim dhe përgjegjësi në administrim, do sjellë me siguri më shumë aktivizim dhe përgjegjësi në angazhimin shoqëror e politik të tyre, më shumë përfshirje në vendimmarrje.
KQZ realizon në vijimësi strategji dhe projekte të ndryshme për edukimin zgjedhor të grave. Qëllimi ka qenë sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi për pjesëmarrje të grave në votime, ushtrimin e të drejtës së votës në mënyrë të lirë, të fshehtë dhe të pandikuar, refuzimin e votimit familjar etj. Takime të dedikuara janë zhvilluar me gra rome, banore të zonave rurale, shtëpiake, gra të dhunuara etj.
Sa i takon pakicave, pozitës së tyre juridike në tërësi dhe marrëdhënies së tyre me zgjedhjet duhet theksuar se çështja ka përfituar shumë nga proceset eurointegruese të Shqipërisë. Kuadri ynë ligjor për pakicat është i lavdërueshëm, i certifikuar si i tillë edhe nga instancat ndërkombëtare. Të drejtat politike të pakicave, sidomos e drejta aktive dhe pasive e zgjedhjes, janë të garantuara. Përfaqësuesit e pakicave qeverisin në zonat minoritare dhe janë rregullisht prezent në organet e zgjedhura përfaqësuese të vendit. Politika shqiptare e ka njohur dhe mirëpritur rolin e pakicave në shoqëri. Lëvizja politike e kohës është konkurrenca politike për t’u shtrirë në radhët e pakicave, për të përfaqësuar interesat e tyre, si dhe për të kanalizuar forcën e tyre elektorale në dobi të partive konkurruese. Kjo ka bërë që eksponentë të pakicave të përfshihen në organet përfaqësuese, si pjesë e partive nacionale nga i gjithë spektri politik.
Nga këndvështrimi i KQZ-së kujdesi për pakicat është përqendruar në kujdesin për informimin dhe edukimin zgjedhor të tyre. KQZ, të gjithë materialet informuese/edukuese/ndërgjegjësuese i prodhon dhe publikon edhe në gjuhët e pakicave kombëtare: në gjuhën greke, malazeze, maqedonase, bullgare, serbe, boshnjake, arumune, rome dhe egjiptiane. Për pakicat rome dhe egjiptiane sidomos kemi përpunuar programe të posaçme për edukimin zgjedhor.
KQZ ka konsoliduar praktikën institucionale me qëllim garantimin e kushteve për të votuar të qytetarëve të cilët janë regjistruar si zgjedhës që nuk mund të votojë vetë.
Për informimin dhe sensibilizimin e zgjedhësve që nuk dëgjojnë, të gjithë spotet e KQZ-së të transmetuara përgjatë fushatave zgjedhore janë përshtatur në gjuhën e shenjave. Ndërkohë, për zgjedhësit e verbër, çdo Qendër Votimi është pajisur me maska në alfabetin “braille” (breil).
Çka vijon të mbetet sfiduese, pavarësisht përpjekjeve institucionale është aksesueshmëria dhe përshtatshmëria e QV-ve për zgjedhësit para/tetra plegjikë.
Pavarësisht se KQZ pajis të gjithë QV me dhoma të fshehtësisë të përshtatura për këta zgjedhës dhe cakton QV-të në katet e para të objekteve, mbetet përgjegjësi e njësive të qeverisjes vendore apo institucioneve që i kanë në përgjegjësi administrimi objektet, që të ndërtojnë infrastrukturën ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar!
Pjesëmarrja në zgjedhje dhe respektimi i vullnetit të tyre, janë tregues i standardit të zgjedhjeve. Prandaj ne e kemi konsideruar këtë çështje si sfidë e rëndësishme për KQZ-në. Mekanizmat tanë i japin përgjigje eliminimit të barrierave arkitektonike. Nevoja që kemi është si t’i automatizojmë këto mekanizma, me qëllim që e drejta e zgjedhësit të mos sakrifikohet për burokraci.
Unë deri këtu tentova të bëj një pasqyrë të situatës, për aq kohë sa kisha në dispozicion. Dua ta mbyll duke theksuar se beteja për barazinë gjinore, pakicat dhe personat me aftësi ndryshe është një betejë që nuk bëhet vetëm dhe as vetëm një herë. Eksperienca jonë na ka mësuar se në këtë fushë arritjet më të mëdha realizohen, sa më të mëdhaja janë këmbëngulja dhe vendosmëria.
Faleminderit!