Zgjedhjet e 30 qershorit 2019, KQZ pret delegacionin e ODIHR-it.
Sot, Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri dhe Nënkryetari z. Denar Biba pritën delegacionin e ODIHR, në përbërje të të cilit ishin Këshilltarët për Zgjedhjet, z. Alexey Gromov, Oleksii Lychovakh dhe Koordinatori i Projektit, z. Raul Muresan.
Ky takim u zhvillua në kuadër të praktikës së ndjekur nga ODIHR mbi paraqitjen e raporteve pas vëzhgimit të zgjedhjeve dhe prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit final të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve Vendore.
Qëllimi i takimit ishte gjithashtu identifikimi i fushave për bashkëpunim dhe hapat e mëtejshëm për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe praktikave që lidhen me zgjedhjet në përputhje me angazhimet e OSBE-së.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Zguri i falenderoi për angazhimin e tyre në vëzhgimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit 2019 dhe rekomandimet e adresuara nga Raporti Final i Misionit të OSBE-ODIHR-it.
Sa i përket adresimit të rekomandimeve të raporteve të OSBE-ODIHR, Zoti Zguri u shpreh se KQZ i ka patur dhe do t’i ketë gjithnjë në konsideratë gjatë punës së tij.
Gjithashtu, Zguri tha se ashtu si në të shkuarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm të ofrojë edhe në të ardhmen ekspertizën teknike për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.