Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson t’ju bëjë me dije përmes këtij njoftimi për shtyp se, në mbledhjen e sotme, do të miratohen aktet për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet e 21 qershorit 2015.

Afati i fundit për dorëzimin e dokumetacionit ka qënë dje, ora 18.00. Gjithashtu ju rikujtojmë se afati i fundit ligjor për regjistrimin e Komiteteve Nismëtare është data 18 prill, ndërsa afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve është data 2 maj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë mblidhet çdo dite, dhe ka angazhuar të gjitha burimet e tij për të siguruar mbarëvajtjen maksimale të procesit zgjedhor.

Në veprimtarinë e tij, normative dhe organizative, KQZ dhe strukturat përbërëse kane zbatuar dhe zbatojnë me përpikmëri e profesionalizëm maksimal Kodin Zgjedhor, me të gjitha ndryshimet si dhe legjislacionin tjetër në fuqi, me impakt në zgjedhje.

Në zbatim të kompetencave të njohura nga ligji, KQZ, si organi kryesor në administrimin e procesit zgjedhor, prodhon vazhdimisht akte nënligjore, të cilat detajojnë formulat e parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe i’u shërbejnë Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, por edhe organeve të tjera në hierarkine institucionale, për të realizuar një proces konform ligjit e Kushtetutës.

Nga ana tjetër, ftojmë çdo subjekt të interesuar që, në lidhje me çfarëdo pakënaqësie apo mosdakordësie me vendimmarrjen e KQZ, ti drejtohet Kolegjit Zgjedhor, duke ndihmuar kesisoj që procesi të qëndrojë brenda hapësirave institucionale, pa u bërë pre e ekseseve apo interesave të vogla politike.