Tiranë, më 08.11.2014

Vijojnë trajnimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Kalendari i trajnimeve, që Komisionit Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon në kuadër të punës për përgatitjen e administrimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2015, kishte ndalesën e radhës në qytetin e Durrësit.

Trajnimi u zhvillua në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe në të morën pjesë nënpunës të administratës së organeve të qeverisjes vendore dhe ish-komisionerë të Komisioneve Zonale të Adiministrimit Zgjedhor, Qendrave të Votimit, Grupeve të Numërimit të Votave.

Sesionet e trajnimit u zhvilluan në formë bashkëbisedimi dhe trajtuan temat;

– Ngritja/funksionimi/detyrat e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ);- Ngritja/funksionimi/detyrat e Komisionit të Qendrës së Votimit (KQV);

– Njohuri të përgjithshme për procesin zgjedhor “Sistemi zgjedhor, administrata zgjedhore, institucionet e ngarkuara me detyra nga Kodi Zgjedhor, cikli zgjedhor, roli i medias”;

Sesioni i dedikuar edukimit për votuesit e rinj me temë, “Të votosh- vlerë e demokracisë- e drejtë dhe detyrë qytetare” , u zhvillua me maturantët e Shkollës së Mesme, “Gjergj Kastrioti“, të cilët në zgjedhjet e ardhshme votojnë për herë të parë. Administrata e KQZ-së së bashku me maturantët simuluan procesin e votimit, ku komisionerë të Qendrës së Votimit ishin vetë të rinjtë.

Interesi i maturantëve u fokusua te procedura që ndiqet në Qendrën e Votimit, gjetja e emrit në listat e zgjedhësve dhe procedurat që ata duhet të ndjekin në rast se emri i tyre nuk gjendet në lista.Të rinjtë pasi shprehen vlerësimet e tyre pozitive për këtë trajnim, i cili i njeh ata me mënyrën se si do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, i kërkuan Administratës së KQZ-së që të zhvillojë trajnime të tjera.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE