Tiranë, më 21.02.2013

Takim me kryetarin e Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Lleshi ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”,z. Agim Loci dhe Kryetarin e Komitetit Kombëtar të Pajtimit të gjaqeve, z. Gjin Marku.

Takimi kishte për qëllim evidentimin e nevojave dhe kërkesave të dy shoqatave për proçesin zgjedhor. Z. Loci tha se Instituti që ai drejton ka arritur deri tani të regjistrojë rreth 60% të anëtarëve të familjeve që janë në gjak në të gjithë Shqipërinë dhe se së shpejti këtë listë emërore do t’ia dorëzojë edhe KQZ-së. Nga ana e tij z. Marku i ka shprehur Kryetares së KQZ-së, gadishmërinë për të kontribuar që personat e ngujuar që dëshirojnë të votojnë, të shoqërohen nga përfaqësues të Komitetit Kombëtar të Pajtimit.

Kryetarja e KQZ-së u shpreh se dërgimi i kutive të votimit në shtëpitë e familjeve të ngujuara, ashtu siç është pretenduar edhe në media, nuk mund të bëhet pasi Kodi Zgjedhor nuk e lejon një gjë të tillë.Znj. Lleshi u kërkoi dy kryetarëve të shoqatave të pajtimit të gjaqeve që të paraqesin pranë KQZ-së projektet e tyre. Ajo shtoi se në ditët në vijim do të bëhet studimi i projekteve të tyre për të parë se cfarë mund të bëhet për t’u siguruar ushtrimin e të drejtës se votës personave të ngujuar që dëshirojnë të votojnë.
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE