Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi takoi sot Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, zj. Jutta Gützkow, e cila shoqërohej nga z. Olsi Dekovi, Zv-Shefi i Zyrës dhe zj. Liliana Kaçi, këshilltare e projektit “Veprimi kundër krimit ekonomik në Shqipëri”.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i vazhdimësisë së bashkëpunimit mes KQZ-së dhe Këshillit të Evropës.
Zoti Celibashi vlerësoi mbështetjen e dhënë për KQZ-në në kuadër të Projektit të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, dhe që zbatohet nga KiE “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” – Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, si dhe të projekteve të tjera të realizuara.
Ai theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë i hapur për çdo mbështetje të ofruar nga komuniteti ndërkombëtar dhe solli në vëmëndje çështje që mbeten prioritete të rëndësishme sikurse janë: financimi i partive politike, dekriminalizimi, barazia gjinore, trajnimi i administratës zgjedhore, e të tjerë.
Celibashi u shpreh se interesi i të gjithëve është të punohet si një skuadër ku secili partner i KQZ-së të fokusohet në çështje të caktuara duke u bashkë-koordinuar.
Shefja e Zyrës së KiE znj. Jutta Gützkow shprehu gadishmërinë e KiE për bashkëpunime të mëtejshme me KQZ. Ajo theksoi se koordinimi me partneret është i rëndësishëm për të qenë sa më efektivë dhe për të patur propozime konkrete.
Këshilli i Evropës në bashkëpunim me dontatorët e tjerë, ndër vite ka ofruar mbështetje për KQZ-në lidhur me modulet e trajnimit të administratës zgjedhore, asistencën teknike në hartimin e akteve për financimin e partive politike dhe trajnimin e votuesve për herë të parë.
Për zgjedhjet e datës 25 Prill 2021, KiE së bashku me Ambasadën Holandeze do të bashkëpunojnë me KQZ-në lidhur me monitorimin e ndryshimeve të akteve nënligjore si pasojë e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, trajnimin e medias dhe shoqërisë civile, si partnerë të rëndësishëm në procesin e monitorimit të fushatës zgjedhore.