KQZ rizgjidhet anëtar i Bordit Ekzekutiv të A-WEB.

Shoqata Botërore e Trupave Zgjedhore  (A-WEB) rizgjodhi si anëtar të Bordit Ekzekutiv të A-WEB, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kryetari, z. Klement Zguri.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit Ekzekutiv të A-WEB u mor vendim lidhur me Aprovimin e versionit përfundimtar të raportit në Asamblenë e Përgjithshme të 3-të, rishikimin e statutit të Shoqatës si edhe zgjedhjen e Bordit të ri Ekzekutiv, ku KQZ e Shqipërisë u rikonfirmua si Anëtare.

 

Bordi Ekzekutiv do të përbëhet nga 17 përfaqësues në total, ku 5 përfaqësues janë për Afrikën, 4 për Amerikën, 4 për Azinë, 3 përfaqësues për Europën dhe 1 për Oqeaninë.

Ndërkohë, mbledhja e Bordit do të pasohet nga Mbledhja e 3-të e Asamblesë së përgjithshme të A-WEB dhe konferenca dy ditore “Numërimi i fletëve të votimit dhe përdorimi i teknologjisë për rritjen e transparencës së proceseve zgjedhore”, punime të cilat po zhvillohen në Bukuresht të Rumanisë dhe pjesëmarrës është edhe delegacioni i KQZ-së së Shqipërisë i kryesuar nga z. Klement Zguri.

A-WEB është organizata ndërkombëtare me prestigjin më të lartë në botë në fushën e zgjedhjeve dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e KQZ së Shqipërisë në Bordin Ekzekutiv të shoqatës, është një mundësi për të siguruar aktivitete me interes të lartë për Shqipërinë, në fushën e zgjedhjeve.