Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri dhe Nënkryetari, z. Denar Biba, pritën në një takim delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR-it.
Delegacioni i OSBE/ODIHR-it i përbërë nga znj. Ana Rusu, Këshilltare e Lartë për Zgjedhjet dhe z. Alexey Gromov, Këshilltar për Zgjedhjet të OSBE/ODIHR-it, ndodhen në vendin tonë për tu njohur nga afër me situatën e përgjithshme para-zgjedhore dhe përgatitjet e deritanishme për zhvillimin e zgjedhjeve të datës 30.06.2019.
Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri e njohu delegacionin e OSBE/ODIHR me veprimtarinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë për përgatitjen e procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore.
Vizita e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR ndërmerret në përgjigje të ftesës së bërë nga qeveria shqiptare, për të vëzhguar zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore dhe në përputhje me mandatin e OSBE/ODIHR-it.
Pas përfundimit të vizitës, delegacioni do të hartojë një raport gjetjesh i cili do të përmbajë edhe rekomandimin mbi llojin dhe përmasën e Misionit (të pritshëm) të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.