Sot, në ambjentet e KQZ-së, u organizua një takim teknik pune me përfaqësues të UN Women. Qëllimi i takimit ishte prezantimin paraprak i studimit “Votimi familjar dhe liria e votimit” që kjo organizatë ka realizuar nëpërmjet IDRA për problemet gjinore në procesin zgjedhor, si në kandidim dhe pjesëmarrje në votime.
Sikundër u prezantua, të dhënat e studimit, bazohen në një kampion kombëtar të përthithur nga 2000 intervista realizuar në zona urbane dhe rurale, me grup mosha, nivele social-kulturore, dhe gjini të ndryshme.
Një nënkampion i këtij studimi kombëtar përfshinte të dhëna nga intervista me komunitetin rom, realizuar në zonat ku ky komunitet, që përbën një nga shtesat më të margjinalizuara të shoqërisë, ka përqëndrimin më të madh.
UN Women, synonte konsultimin e studimit kombëtar “Votimi familjar dhe liria e votimit” me mendimin dhe ekspertizën teknike të KQZ, përpara bërjes publike të tij në një tryezë pune e cila do të zhvillohet gjatë muajit maj 2014.
Kryetarja Luzi, theksoi se trajtimi në studim i temave sensitive për çështje të barazisë gjinore, si raste të votimit familjar, presionit të ushtruar ndaj femrave për të ndikuar në zgjedhjen e tyre, rasteve të lejimit nga komisionerët të më shumë se një votuesi në dhomën e fshehtë, nivelit të njohurive për kuotat gjinore të përcaktuara në ligjin zgjedhor, të shoqëruara me shifra konkrete, ka shumë interes për punën e KQZ-së dhe administratës së saj.
Diskutimet e të pranishmëve, theksuan rëndësinë që kanë të dhëna të tilla, të bazuara në intervistimin e drejtpërdrejtë të zgjedhësve, për përmirësimin e punës së KQZ-së në të ardhmen, veçanërisht për komunitetin rom, i cili do të jetë një nga grupet më prioritare të strategjisë së KQZ-së për edukimin zgjedhor të shtetasve.
Sugjerimet e dhëna nga administrata e KQZ-së për përfshirjen në studim të disa elementëve plotësues, u vlerësuan nga realizuesit e studimit në funksion të krijimit të perceptimeve sa më reale nga grupet e interesit që do të jenë përfituesit e këtyre të dhënave.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE