Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Autoritetin për Mediat Audiovizive.
Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Autoritetin për Mediat Audiovizive, për monitorimin e fushatës sё zgjedhjeve për Kuvend, të datës 18.06.2017
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga Kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba dhe Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Denar Biba në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi bashkëpunimin mes dy institucioneve, duke vënë theksin tek rëndësia që ka monitorimi i fushatës në media nga Bordi i Monitorimit të Medias dhe rolin që ka Autoriteti i Mediave Audiovizive në këtë proces.
Nga ana e tij, Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala tha se, për të ofruar monitorim cilësor dhe profesional, këtë vit synohet rritja e kapaciteve monitoruese për radio-televizionet gjatë fushatës zgjedhore, duke vënë në dispozicion të BMM-së dy studiot e monitorimit.
Marrëveshja u nënshkrua në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe ka si qëllim përcaktimin e rregullave, mënyrën dhe afatet e shfrytëzimit të kapaciteteve teknike dhe njerëzore të AMA-s, për monitorimin e fushatës zgjedhore, në radio-televizionin publik dhe në radio-televizionet private.