Dita Botërore e Zgjedhjeve, 7 shkurt 2019
Dita Botërore e Zgjedhjeve, e enjtja e parë e shkurtit, u celebrua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes veprimtarive me maturantë të shkollave te mesme të kryeqytetit, votues për herë të parë në zgjedhjet e 30 qershorit, dhe studentë të “Albanian University”.
Dita Botërore e Zgjedhjeve e lancuar si inisiativë në vitin 2005, në Konferencën historike të ACEEEO (Shoqata e Zyrtarëve Zgjedhorë Europianë), ka si qëllim përcjelljen e mesazheve për forcimin e proceseve demokratike.
KQZ, sikundër tashmë është bërë traditë, hapi dyert e instucionit për të rinjtë, për t’i njohur ata me punën për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, por edhe për të bashkëbiseduar për procesin zgjedhor, rëndësinë dhe vlerën e votës për demokracinë dhe të ardhmen europiane të vendit.
Mbi 200 maturantë dhe 70 studentë morrën pjesë në sesionet e edukimit zgjedhor, ku temat e trajtuara synonin informimin e të rinjve për procesin zgjedhor të 30 qershorit, të drejtat dhe detyrat e zgjedhësit në proces, në aspektin ligjor dhe praktik, për veprat penale që cenojnë votën e lirë dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Anëtarët e KQZ-së, z. Bledar Skënderi dhe znj. Edlira Jorgaqi, si edhe administrata e KQZ-së, në bashkëbisedim me të rinjtë vunë theksin tek pjesëmarrje në votime, dëshmi e qytetarit aktiv dhe të përgjegjshëm.
Për maturantët u organizua simulimi i procesit të votimit, ku ata të angazhuar si komisionerë, votues, vëzhgues, dhe përfaqësues të medias, u familjarizuan me rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e aktorëve në proces, dhe procedurat e votimit.
Konkursi i organizuar për studentët “Sa jam i informuar për zgjedhjet”, dëshmoi interesin dhe vlerësimin e të rinjve për rëndësinë e zgjedhjeve demokratike, vetëdijen e tyre për t’u bërë pjesë e fateve të vendit me votën e lirë dhe të pandikuar.
Fletëpalosjet për veprat penale në zgjedhje, ofruan për të rinjtë informacion të plotë për veprimet përmes të cilave realizohet vepra penale në zgjedhje dhe masën e dënimit për to.
Sesionet u përmbyllën me apelin për të marrë pjesë dhe votuar mençurisht në zgjedhjet e 30 qershorit, duke u mirëinformuar, zgjedhur në mënyrë vetjake, dhe denoncuar çdo veprim që synon të cënojë votën e lirë.