Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u vizitua nga një grup studentësh të Fakultetit Shkencave Politike, të cilët kishin qëllim njohjen nga afër me institucionin më të lartë zgjedhor në vendin tonë.

Ky takim i hapur u organizua nga bashkëpunimi i KQZ me Institutin e Studimeve Politike (ISP), më qëllim edukimin dhe marrjen e njohurive praktike dhe të drejtëpërdrejta mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, instiucioni që organizon dhe administron proceset e zgjedhjeve në Shqipëri.

Fillimi i vizitës ishte njohja e studentëve me ambjentete e reja të KQZ-së dhe Administratën e tij.

Mirëseardhjen në KQZ-së, studentëve ua shprehu Kryetarja zj. Lefterije Luzi, e cila e vlerësoi vizitën e tyre si një hap shumë të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit që KQZ ka më të rinjtë dhe me organizatat e shoqërisë civile, në funksion të edukimit zgjedhor.

Kryetarja Luzi i njohu të rinjtë me anëtarësinë e Komisionit, kompetencat dhe përgjegjësitë e KQZ, vizionin dhe misionin që ky institucion ka, me disa nga fazat më të rëndësishme të procesit zgjedhor; si ngritja e infrastrukturës zgjedhore, emërimi dhe trajnimi i komisionerëve të niveleve të ndryshme, shpërndarja e materialeve zgjedhore, dita e votimit, numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve.

Ndër të tjera, zj. Luzi u tha studentëve se, ” Edukimi Zgjedhor dhe transparenca janë dy shtylla kryesorë të punës së KQZ-së, në funksion të të cilave Komisioni punon në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm në periudhën zgjedhore por edhe atë jo zgjedhore. Ju, votuesit e rinj me energjinë dhe forcën tuaj rinore, dhe me angazhimin tuaj, mund dhe duhet të bëheni barriera të pakapërcyeshme për fenomenet negative që cënojnë VOTËN E LIRË”.

Takimi vijoi si bashkëbisedim i lirë, dhe Kryetarja e KQZ-së i’u përgjigj interesit të studentëve të cilat u fokusuan mbi aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor, financimi i partive politike, ndryshimet në kohë të Kodit Zgjedhor dhe impakti që sjell në procesin zgjedhor, roli i vëzhguesve vendor dhe të huaj, roli i medias në informimin publik, marrëdhëniet e KQZ-së me organizatat ndërkombëtare, transparenca që KQZ ofron për veprimtarinë e tij, e të tjerë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prioriteti i të cilit është edukimi zgjedhor qytetar mbi rëndësinë e votës dhe të pjesëmarrjes në votime, bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me studentët duke i përfshirë në projekte të ndryshme sensibilizuese dhe edukuese.

Në përfundim të takimit, Kryetarja Luzi i ftoi studentët të bëhen pjesë e projekteve të KQZ-së që do të realizohen gjatë vitit 2016, në kuadër të Strategjisë së Edukimit Zgjedhor përmes kontributit vullnetar ose praktikave profesionale (inter-ship) pranë Administratës së Komisionit.