Seminari “Forcimi i pavarësisë së organeve Menaxhimi Zgjedhor; Shkëmbimi i përvojave dhe mësimeve të nxjerra në mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”.
Kryetarja e KQZ-së, zj. Luzi: Depolitizimi i administratës zgjedhore, domosdoshmëri për standardet e procesit zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Qendrën për Perspektivë Evropiane (CEP), organizoi seminarin “Forcimi i pavarësisë së organeve Menaxhimi Zgjedhor; Shkëmbimi i përvojave dhe mësimeve të nxjerra në mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”.
Ky seminar, u zhvillua në kuadër të projektit “Forcimi dhe Pavarësia e Trupave të Menaxhimit Zgjedhor –faza II”, mbështur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë.
Seminari u hap nga Kryetarja e KQZ-së zj. Lefterije Luzi dhe morën pjesë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë, zj. Lea Stancic, ekspertë zgjedhorë, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që punojnë në fushën e zgjedhjeve, përfaqësuesve të partive politik, e të tjerë.
Kryetarja e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi, gjatë fjalës së saj tha se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të bëhën sa më parë, me qëllim që KQZ të përgatisë dhe organizojë në kohë zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Kryetarja e KQZ theksoi se; “Depolitizimi i administratës zgjedhore, në kushtet kur në Shqipëri ajo ndërtohet mbi bazën e propozimeve të partive politike, duhet të përbëjë një nga çështjet më kryesore që duhet t’i jepet zgjidhje, në vlerësim jo vetëm të rekomandimit kryesor të OSBE/ODHIR, por si nevojë për përmirësimin e administrimit të procesit zgjedhor”.
Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë, zj. Lea Stancic, vlerësoi rëndësinë e ngritjes së Qendres se Trajnimit dhe Edukimit Zgjedhor pasi Edukimi zgjedhor i mbarë shoqërisë, do të thotë të kontribuosh për stabilitetin dhe rregullin e procesit zgjedhor.
Kryetarit i Kuvendit, z. Ilir Meta, gjatë fjalës së tij tha se aktualisht ka disa sfida imediate që lidhen ngushtë me administrimin dhe transparencë e proceseve zgjedhore, me stabilitetin dhe cilësinë e legjislacionit zgjedhor. Ai theksoi se transparenca e financimit të fushatave zgjedhore, por edhe të vetë partive politike, me zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të reja që garantojnë transparencën dhe integritetin e proceseve administruese zgjedhore, dhënia e një zgjidhje përfundimtare disa fenomenevesi blerja e votës, janë sfida që e shtojnë domosdoshmërinë e ndërtimit të një sistemi zgjedhor të besueshëm, transparent dhe përfaqësues.
Diskutimet e pjesëmarrësve nxorën në pah rëndësinë që ka ecuria e punës së Komisionit së Reformës zgjedhore pasi kjo qartëson situatën nëse do të kemi një reformë të mirëfilltë zgjedhore, apo vetëm ndryshime të Kodit Zgjedhor.
Sipas ekspertëve, dekriminalizimi dhe çeshtja e financimit të partive politike, janë dy çeshtjet që kërkojnë një trajtim të plotë dhe të thellë, i cili nëkupton jo vetëm ndryshime të Kodit Zgjedhor, por edhe të ligjit të dekriminalizimit dhe ligjit për partitë politike.
Konkluzionet dhe gjetjet në përfundim të diskutimeve nga ekspertë zgjedhorë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të angazhuara në fushën e zgjedhjeve, do t’i përcillen Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore.