Sot, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi (Lleshi), Anëtarët, z. Hysen Osmanaj, zj. Vera Shtjefni dhe z. Klement Zguri kanë pritur në një takim Delegacionin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Maqedonisë (KSHZ), i cili përbëhej nga z. Nikola Rilkoski, Kryetar i KSHZ-së, z. Subhi Jakupi, Nënkryetar, Anëtarët, zj. Violeta Duma e z. Bedredin Ibrahimi si dhe Këshilltari z. Dobre Jançev.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të dy institucioneve dhe pati për qëllim shkëmbimin e eksperiencave zgjedhore pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të Maqedonisë po përgatitet për zgjedhjet presidenciale të cilat do të zhvillohen në muajin prill.
Kryetarja e KQZ-së e njohu Delegacionin e KSHZ-së me procesin e zgjedhjeve të 23 qershorit, problematikat si dhe arritjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në realizimin e zgjedhjeve me standarde dhe të gjithëpranuara . Delegacioni i KSHZ-së nga ana e tyre e falenderuan KQZ-në për mikëpritjen ndërsa informuan edhe për përgatitjet që po zhvillojnë për zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë.
Interesi i Komisionerëve të Maqedonisë u fokusua në materialin dhe teknikën e përdorimit të gjurmëve të votuesve të përdorura nga KQZ për shkak të përdorimit për herë të parë të bojës timbruese të dukshme me sy të lirë.
KQZ në mënyrë të detajuar i përcolli Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të gjithë informacionin e duhur teknik lidhur me përdorimin e bojës timbruese gjatë procesit të votimit në 23 qershor.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të Maqedonisë e ftuan KQZ-në në një vizitë zyrtare për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen në muajin prill.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE