KQZ sesion edukimi me studentët e Elbasanit

Kryetari i KQZ-së, Zguri: Garantimi i ushtrimit të vullnetit të lirë përmes votës,  domosdoshmëri në çdo kohë.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Klement Zguri zhvilloi një leksion të hapur më studentët e Univeristetit  “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Zoti Zguri u prit nga Rektori i Univeristetit z. Skënder Topi, ku i shprehu mirënjohjen për gadishmërinë që pati Kryetari i KQZ-së për të bashkëbiseduar më studentët e univeristetit që drejton, të cilët në zgjedhjet e ardhshme do të jenë edhe votues për herë të parë.

Pjesëmarrës në leksion ishin Dekania e Fakultetit të Ekonomisë zj. Imelda Sejdini, pedagogë dhe studentë të fakulteteve të Ekonomisë dhe të Drejtësisë. Në fokus të  bashkëbisedimit  ishte njohja e studentëve me aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor , mënyrën se si funksionon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,  rëndësia e votës së lirë dhe të pandikuar dhe veprat penale që cënojnë zgjedhjet demokatike.

Kryetari i KQZ-së u shpreh se pavarësisht se aktualisht jemi pothuaj një vit pas zgjedhjeve për Kuvendin dhe një vit përpara zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore , puna KQZ-së vijon dhe është e përqëndruar në mënyrë specifike në ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë dhe vlerën që ka vota e çdo zgjedhësi.

Kryetari i KQZ-së u tha studentëve së garantimi i ushtrimit të vullnetit të lirë  për  të votuar mbetet në çdo kohë domosdoshmëri, përpjekje kjo e cila është përforcuar edhe me ndyrshimet ligjore në Kodin Penal. “Ndryshimet e bëra në Kodin Penal para zgjedhjeve të vitit 2017, i dhanë një  dimension  tjetër të vlerës së votës, pasi dënimet për veprimet e kundraligjshme që cënojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë ashpërsuar, çka ndikon në uljen e numrit e shkeljeve ligjore nga komisionerët por edhe nga zgjedhësit”.

Bashkëbisedimi interaktiv mes studentëve, pedagogëve dhe Kryetarit të KQZ-së i shërbeu njohjes nga ana e studentëve e procedurave të votimit, rëndësisë së votës dhe aspekteve të ndryshme që lidhen me procesin e zgjedhjeve.

Gjithashtu, KQZ zhvilloi sesion edukimi edhe me nxënësit e Shkollës së Mesme të Përgjithshme në Belsh.  Nxënësit u njohën me institucionin e KQZ-së dhe u bënë pjesë e simulimit të procesit të votimit.