Me ftesë të Komisionit Kombëtar të Zgjedhjeve të Republikës së Koresë së Jugut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vëzhgoi zgjedhjet e përgjithshme lokale të zhvilluara në datën 04 qershor 2014, ku votohej për zgjedhjen e drejtuesve të bashkive, guvernatorëve të provincave.

Risia e këtyre zgjedhjeve në Korenë e Jugut ishte zbatimi për herë të parë i mundësimit të votimit edhe para ditës së votimit. Anëtarët e KQZ-së vëzhguan nga afër momentet më thelbësore të procesit zgjedhor, përvojën organizative dhe manaxhuese të institucionit homolog. Gjatë këtij vëzhgimi u evidentuan aspektet pozitive për të cilat u vlerësuan se mund të jenë një mundësi për tu zbatuar edhe në vendin tonë. Angazhimi i të rinjve në procesin zgjedhor, nëpërmjet intershipit, për të dhënë ndihmën e tyre në proces u vlerësua si një instrument që pasuron kulturën zgjedhore të gjeneratës së zgjedhësve të rinj. Ofrimi gjatë ditës së zgjedhjeve nga të rinjtë i ndihmës dhe i logjistikës së nevojshme për personat e moshës së tretë dhe personave me aftësi të kufizuar, është një kulturë zgjedhore që KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse synon ta pilotojë në zgjedhjet e ardhshme. Anëtarët e trupave zgjedhore nga vende të ndryshme të botës, të akredituar si vëzhgues ishin gjithashtu edhe pjesë e programit të vizitorëve për zgjedhjet lokale në Kore. Programi i asistuar nga Organizata e Vëzhguesve Ndërkombëtar të Zgjedhjeve përfshinte trajtimin e temave që kanë të bëjnë me problematikat dhe sfidat me të cilat përballen trupat zgjedhore, pavarësia dhe efektiviteti në punën e tyre, aplikimi i teknologjive të reja në zgjedhje, standardet e aplikimit të votimit të hershëm, parandalimin e blerjes së votës, etj.

Ballafaqimi dhe shkëmbimi i eksperiencave shërbeu si për trupat zgjedhore pjesëmarrëse ashtu dhe për organizmat ndërkombëtare që asistojnë proceset zgjedhore.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE