Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me mbështetjen e Prezences së OSBE-së në Shqipëri ka zhvilluar Tryezën Teknike me temë “Fushata zgjedhore dhe media, sfida për të ardhmen”. Të pranishëm në këtë ativitet ishin Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi (Lleshi), Anëtarët, z. Hysen Osmanaj, zj. Vera Shtjefni, z. Klement Zguri, përfaqësuesja e OSBE-së, zj. Claudia Wollmer, përfaqësuesi i ODIHR-it, z. Steven Martin, përfaqësuesja e UN Woman, zj. Fjorela Shalsi dhe përfaqësuesi i Avokatit të Popullit. Pjesë e këtij debati ishin edhe drejtuesit kryesorë të departamenteve të informacionit në televizione dhe gazeta, analistë të njohur politikë të cilën kanë qenë aktivë gjatë fushatës zgjedhore, ekspertë mediatik dhe ligjorë, përfaqësues të Bordit të Monitorimit të Medias (BMM-së), përfaqësues të shoqërisë civile të fokusuar në çështjet e medias, përfaqësues të Fakultetit Histori-Filologji, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, përfaqësues të KQZ-së dhe partnerëve të saj. Diskutimi u përqëndrua në sjelljen e medias dhe institucioneve monitoruese gjatë fushatës zgjedhore, duke u fokusuar në gjetjet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet për Kuvend 2013, marrëdhëniet ndërmjet medias dhe fushatës zgjedhore, funksionimin e Bordit të Monitorimit të Medias e të tjerë. Në fjalën e saj hapëse, Kryetarja e KQZ-së shprehu bindjen se kjo tryezë, e cila ka bërë bashkë, KQZ-në, përfaqësues të mediave, përfaqësues të shoqërisë civile që merren me zgjedhjet, ish-anëtarë të BMM-së, dhe Avokatin e Popullit, e cila realizohet për herë të parë, do të kontribuojë gjithashtu për zbehjen e praktikave kundërshtuese, duke realizuar një qasje tjetër mes KQZ-së dhe mediave. Kryetarja e KQZ-së tha se “Pasqyrimi nga ana e mediave me realizëm i çdo zhvillimi gjatë fushatave dhe proceseve zgjedhore, mbi bazën e njohjes dhe interpretimit të mirë të ligjit zgjedhor, larg anshmërive dhe ndikimeve, padyshim është kontribut shumë i çmuar që forcon besimin publik dhe demokracinë në vend, rrit pjesëmarrjen e zgjedhesve ne votime, per fushatat sensibilizuese dhe edukuese per zgjedhesit, qe KQZ realizon ne vijimesi e me intensitet me te shtuar gjate fushatave zgjedhore nen moton “VOTA JOTE VLEN, VOTO DHE TI”!”. “Përvoja e procesit zgjedhor të 23 qershorit evidentoi momente të cilat do të kishin nevojë për një rregullim te ndryshem apo më të mirë ligjor, për të cilat dhe OSBE/ODHIR ka bërë rekomandimet përkatëse në raportin përfundimtar”- theksoi zj. Luzi.Nga ana e tyre përfaqësuesit e OSBE-së dhe ODIHR-it, zj. Claudia Wollmer dhe z. Steven Martin sollën në vëmendjen e të pranishëmve gjetjet dhe rekomandimet e raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 23 qershorit për monitorimin e medias. Përmes kësaj tryeze teknike – e 3-ta e këtij lloji, KQZ kishte si qëllim ngritjen e debatit në nivel teknik i fokusuar në referime dhe analiza konkrete për fushatën zgjedhore dhe median, të cilat do të kenë si konkluzion rekomandime që mund t’i shërbejnë reformës së pritshme zgjedhore.

FJALIMI I KRYETARES