Tiranë, më 20.02.2013
Kryetarja e komisionit qendror të zgjedhjeve znj. Lefterije Lleshi gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me Shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuara
Takimi u zhvillua në ambjentet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe morën pjesë, znj. Alenka Verbole, Përfaqësuese e Departamentit të Demokratizimit të OSBE në Shqipëri, z. Sinan Tafaj, Kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, z. Abdullah Omuri, Kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Punës, znj. Mylbere Prizereni, Kryetare e Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve si dhe z. Eduard Ajas, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Njerëzve që nuk dëgjojnë.
Kryefjala e takimit ishin zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në zgjedhje.
Kryetarët e shoqatave të përsonave me aftësi të kufizuara falenderuan kryetaren e KQZ-së për gadishmërinë e treguar për të bashkëpunuar dhe për të dëgjuar kërkesat dhe nevojat e tyre për proçesin zgjedhor. Ata i kërkuan znj. Lleshi krijimin e infrastrukturës për të lehtësuar pjesmarrjen në ditën e votimit, invalidëve të punës, paraplegjikëve e tetraplegjikëve dhe personave që nuk dëgjojnë. Ata kërkuan gjithashtu që tu kushtohet vëmendje edhe personave me probleme mendore të cilëve nuk u është hequr zotësia për të vepruar dhe gëzojnë të drejtën për të votuar.
Kryetarja e Komisionit Qendror të zgjedhjeve i ka sigurar shoqatat e personave me aftësi të kufizuara se do të marrë parasysh kërkesat e tyre. Znj. Lleshi i siguroi ata se KQZ do të vendosë një standard për përfshirjen e kësaj kategorie të shoqërisë në zgjedhje. Kryetarja KQZ-së i informoi ata se është parashikuar në buxhetin e zgjedhjeve krijimi i infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar.Znj. Lleshi u kërkoi shoqatave të personave me aftësi të kufizuar që të sjellin pranë KQZ-së listat me anëtarët e tyre pasi kjo do të ndihmonte në orientimin e saktë të punës së Komisionit.
Nga ana e saj znj. Verbole u sugjeroi kryetarëve të shoqatave që sensibilizimin e kësaj kategorie, mund ta bënin vetë ata në mënyrë shumë efikase. Përfaqësuesja e OSBE gjithashtu shtoi se shoqatat duhet të përgatisin projekte dhe tua prezantojnë ato donatorëve të cilët do të ofrojnë mbështetjen e tyre.
Në ditët në vijim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuara do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi.
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE