Kryetari i KQZ-së, Zguri pret delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE.
Kryetari i KQZ-së, z.Klement Zguri priti anëtarët e misionit parazgjedhor të Komisionit Ad Hoc për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.
Delgacioni i Asamblesë së Këshillit të Evropës, kryesohej nga z. Paolo Corsini, i Grupit Parlamentar të Partive Socialise.
Qëllimi i takimit ishte mbledhja e fakteve për situatën parazgjedhore në Shqipëri dhe përgatitjet që po bëhen nga KQZ për zgjedhjet e datës 25.06.2017.
Kryetari i KQZ-së, z. Zguri duke i falenderuar për vizitën, i njohu anëtarët e delegacionit me ecurinë e deri tanishme të përgatitjeve për procesin zgjedhor.
Interesit të Delegacionit lidhur me ndryshimet e fundit ligjore të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë, z. Zguri u shpreh se, këto e kanë vënë KQZ-në në sfidën e kohës, por KQZ si institucioni kyç në monitorimin e financimit dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore, po punon me intensitet për të nxjerrë të gjithë aktet ligjore të nevojshme dhe po asistohet me ekspertizë nga Këshilli Evropës, Institutin Demokratik Amerikan (NDI) dhe Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).
Gjatë takimit u nënvizua fakti se objekt i monitorimit të KQZ-së përmes Bordit të Monitorimit të Medias është edhe pasqyrimi i fushatës elektorale në media, dhe se ndryshimet në ligjin për “Partitë Politike” sollën reagim të operatorëve audioviziv privat.