Tiranë, më 31.10.2013

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, leksion të hapur në Univeristetin “Fan Noli” në Korçë, “Të votosh, është e drejtë dhe përgjegjësi qytetare”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me afrimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Korçë, dhe në përmbushje të kompetencave ligjore për edukimin zgjedhor të shtetasve, zhvilloi ditën e martë datë 29.10.2013, në Universitetin “Fan Noli” një leksion të hapur me studentë dhe maturantë të shkollave të mesme të qytetit me temë “Të votosh, është e drejtë dhe përgjegjësi qytetare”.

KQZ falënderon Rektoratin e Universitetit “Fan Noli”, dhe Drejtorinë Rajonale Arsimore Korçë, të cilët në vlerësim të këtij aktiviteti, synimit të KQZ për të përcjellë tek të rinjtë frymën edukuese dhe sensibilizuese për ushtrimin masivisht të së drejtës kushtetuese të votës, ofruan mirëkuptim dhe bashkëpunim maksimal. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi (Lleshi), duke ju drejtuar të rinjve me fjalët “Kur nuk votojmë, nuk flasim!”, synoi ndërgjegjësimin e të rinjve korçarë për vlerën dhe forcën e votës së tyre, me qëllim konsolidimin e kulturës që ata do ta bartin gjatë gjithë jetës, pra në shumë procese të tjera zgjedhore: vota është e drejtë por edhe detyrë! Në vijim të fjalës së saj, Kryetarja e KQZ-së informoi të rinjtë rreth aspekteve të ndryshme të organizimit dhe administrimit të procesit zgjedhor në përgjithësi, dhe specifikisht procedurat dhe rregullat që ndiqen nga zgjedhësi në qendrën e votimit.
Në përfundim të fjalës së Kryetares së KQZ-së, të rinjtë duke falënderuar, vlerësuan interesin dhe rëndësinë e temave të trajtuara, adresuan për Kryetaren e KQZ dhe anëtarët Klement Zguri e Hysen Osmanaj, pyetje me mjaft interes për aspekte të ndryshme të procesit të votimit, strukturës së administratës zgjedhore, administrimit të procesit deri në shpalljen e rezultateve etj. Pyetje-përgjigjet i dhanë takimit karakter bashkëbisedimi, duke i shërbyer realizimit të qëllimit të tij, qartësimit të të rinjve për proceset zgjedhore, krijimit të koncepteve të qarta për procedurat ligjore të votimit, përmbushja e të cilave është kushti themelor për vlefshmërinë e votës. Gjithashtu, Kryetarja e KQZ-së, dhe anëtarët Zguri e Osmanaj, inspektuan ecurinë e sesioneve të trajnimit të komisionerëve të qendrave të votimit, organizuar nga KQZ në ambientet e Bibliotekës së qytetit dhe Sallën e Mbledhjeve të Këshillit të Qarkut, në Prefekturën Korçë, si dhe zhvilluan një takim me anëtarët e KZAZ nr. 71, që do të administrojë procesin e 3 nëntorit në këtë zonë zgjedhore.Në këto takime, Kryetarja e KQZ-së, duke iu drejtuar komisionerëve zgjedhorë të niveleve të dyta e të treta, i porositi ata që çdo veprim, çdo vendimmarrje e tyre duhet të jetë larg cdo lloj ndikimi dhe të bazohet vetëm në ligjin zgjedhor. Kryetarja e KQZ, pasi u njoh me ecurinë e deritanishme të punës për administrimin e procesit, i siguroi komisionerët për mbështetjen e KQZ-së në punën e tyre.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE