Fjala e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri në tryezën e rrumbullakët “Monitorimi i Fushatës Zgjedhore”, organizuar nga Këshilli i Evropës.

 

I nderuar z. Neukirch,

I nderuar z. Stork,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ky është takimi i parë në këtë format dhe për këtë qëllim, që ne zhvillojmë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Nga këndvështrimi i KQZ-së këto zgjedhje shënuan arritje të mirëfilltë të paktën në disa drejtime të rëndësishme:

–         Pas shumë kohësh, këto zgjedhje u menaxhuan me frymën e bashkëpunimit dhe larg kontroversitetit tipik politik. Këtë herë klima politike prodhoi “mot të mirë” për KQZ-në, por dhe KQZ ishte në lartësinë e duhur.

–         Pas shumë kohësh, në këto zgjedhje mungoi kontestimi procesual. Procesi u zhvillua në rregullshmëri të plotë administrative, vendimmarrja e KQZ-së u njoh dhe pranua gjerësisht si e ligjshme dhe e drejtë, rezultati përfundimtar u respektua nga të gjitha palët, si i pakontestueshëm ligjërisht. Kjo arritje është faktori më i mirë për rritjen e autoritetit të KQZ-së, por sidomos për rritjen e besueshmërisë tek zgjedhjet.

–         Për herë të parë në këto zgjedhje u realizua monitorimi i financimit dhe shpenzimeve të fushatës gjatë zhvillimit të saj, ndryshe nga më parë, kur bëhej vetëm auditimi i fondeve dhe shpenzimeve pas përfundimit të fushatës. Raportet e monitorimit janë burim transparence për financimin e fuashtës, por edhe instrument tejet i vlefshëm kontrolli për auditimin.

–         Pas shumë kohësh, në këto zgjedhje nxjerrja e rezultatit u krye nga administrata zgjedhore brenda afatit ligjor, për 95% të qendrave të votimit dhe shumë shpejt pas afatit për pjesën e mbetur. Nxjerrja e rezultatit në harkun e ditës së parë pas zgjedhjeve, e cilësuar deri dje si sfida e pamundur, nga sot formon standard të paneglizhueshëm për administratën zgjedhore.

Si Kryetar i KQZ-së jam krenar për këto arritje, pavarësisht se unë, kolegët e mi anëtarë të KQZ-së, pjesëmarrësit në proces, vëzhguesit dhe ndërkombëtarët kemi dhe kanë ende plot vërejtje, rezerva, sugjerime apo rekomandime për t’i bërë proceseve ligjore dhe administrative zgjedhore.

Arritjet si këto janë piketa të sigurta për rrugën drejt suksesit, ndaj janë të rëndësishme.

Por arritjet nuk vijnë kurrë vetiu. Ato janë gjithmonë rezultat i punës, përpjekjeve, pësimeve dhe mësimeve, janë rezultat i koordinimit dhe bashkëveprimit.

KQZ-ja është një institucion që gëzon privilegjin e jashtëzakonshëm të mbështetet drejtpërdrejtë tek asistenca e një koalicioni të gjerë ndërkombëtar.

Misioni i Bashkimit Evropian, Zyra e Këshillit të Evropës, Prezenca e OSBE-së, përfaqësitë diplomatike të vendeve mike, janë kolona vertebrale e asistencës dhe bashkëveprimit.

Në këtë kontekst, shembullin e shkëlqyer e formon bashkëpunimi afatgjatë me Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës prej vitesh është një nga partnerët e rëndësishëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke na ardhur në ndihmë përmes asistencës teknike me ekspertët që ka ofruar por edhe me mbështetje financiare për projekte të rëndësishme me impakt në procesin zgjedhor.

Me Këshillin e Evropës po punojmë prej kohësh për “Qendrën e Trajnimit”, bashkë kemi realizuar aplikacionin “Voto 2017”, me asistencën dhe ekspertizën tuaj, bëmë të mundur zbatimin e amendamenteve për financimin e fushatës, të ligjit për “Partitë politike”, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë vetëm pak ditë para datës së zgjedhjeve.

KQZ-ja është mirënjohëse për bashkëpunim dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Këshilli i Evropës i ka dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndaj unë dua të përfitoj nga ky takim e t’ju falenderoj zyrtarisht për angazhimin dhe kontributin.

Tryeza e sotme është vazhdim i bashkëpunimit Këshilli i Evropës dhe KQZ, por është dhe gur kilometrik për këtë bashkëpunim.

Për KQZ, transparenca në përgjithësi është element thelbësor i punës së tij, dhe aq më tepër kur kjo lidhet me financimet e partive politike dhe fushatave zgjedhore.

Zhvillimi i fushatave zgjedhore luksoze dhe mungesa e transparencës së financimit të partive politike, për një vend të vogël si Shqipëria është fenomen i papranueshëm, pasi ushqen korrupsionin zgjedhor dhe politik, cënon besimin e publikut tek zgjedhjet dhe demokracia, kriminalizon procesin, delegjitimon përfaqësimin dhe rrënon llogaridhënien politike.

Ndaj për KQZ-në, transparenca e financimit politik dhe zgjedhor është sfida prioritare.Për ne transparenca është jo vetëm antidoti i korrupsionit zgjedhor,  por edhe matësi për cilësinë e zgjedhjeve.

Kjo tryezë shërben për diskutimin e problematikave të konstatuara gjatë procesit zgjedhor, si dhe dhënien e ideve për përmirësimin e kuadrit ligjor aktual, përfshirë harmonizimin e dispozitave të ligjit për partitë politike dhe Kodit Zgjedhor.

Unë shpresoj se kjo tryezë, përveçse do jetë një rast më shumë për të bërë bilancin e punëve të kryera, do jetë akoma më shumë shansi ynë për të nisur, mbështetur, nxitur apo imponuar kthesën e madhe në trajtimin e problemit. Transparenca sot, më shumë se kurrë është një çështje e shtruar për zgjidhje.

Duke përmbyllur fjalën time, shpreh bindjen se mbështetja dhe ekspertiza e KiE  për KQZ në vijimësi, sikundër deri më sot, do të jetë një kontribut i çmuar edhe  për zhvillimin e një reforme zgjedhore gjithpërfshirëse, ku KQZ, një ndër aktorët më kryesore për implementimin dhe zbatimin e ligjit zgjedhor është i gatshëm të vërë në dispozicion të gjithë eksperiencën dhe potencialet e tij, për të kontribuar në përballjen e sfidave që kjo reformë e rëndësishme mbart.

Duke falenderuar sërish organizatorët, i uroj suksese punimeve të tryezës.

Faleminderit!