Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi takoi Drejtoreshën e Institutit Demokratik Amerikan për Shqipërinë, znj. Ana Kovacevic.
Në fokus të takimit ishte asistenca e ofruar për KQZ-në nga NDI me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Tiranë, lidhur me finacimin e partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe jashtë saj.
Zoti Celibashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme të NDI dhe Ambasadës Britanike. Ai tha se financimi i partive politike është një çeshtje e cila do të ketë vemendjen e duhur nga ana e KQZ, veçanërisht me shtimin e kompetencave nga amendimet e fundit të Kodit Zgjedhor, përsa i përket kontrollit dhe mbikqyrjes së financave të partive politike. Komisioneri solli në vëmendje se kontrolli dhe mbikqyrja financiare e partive politike do të ketë trajtim më domethënës brenda institucionit.
Zonja Kovacevic shprehu gadishmërinë e Institutit Demokratik Amerikan, për të vazhduar partneritetin me KQZ-në, duke asistuar me ekspertizën e vet ndërkombëtare, të mbështetur në praktikat më të mira të vendeve të tjera që kanë sisteme të konsoliduara të kontrollit dhe verifikimit të financave gjatë fushatave zgjedhore.