Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në funksion të mirë përgatitjes së procesit zgjedhor u kujton organeve të qeverisjes vendore detyrimin që u ngarkon Kodi Zgjedhor në procesin e përgatitjes dhe publikimit të listave zgjedhore, si një nga fazat e rëndësishme të procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka si detyrë mbikqyrjen e hartimit të listave zgjedhore, administrimin e zonave të qendrave të votimit dhe numrin e zgjedhësve për çdo qendër votimi.

Por për këto procedura të rëndësishme përgjegjësi ligjore kanë Zyrat e Gjendjes Civile dhe organet e qeverisjes vendore.

Lista e zgjedhësve hartohet për çdo zonë qendre votimi dhe përmban të gjithë zgjedhësit që kanë vendbanimin e regjistruar në RKGJC dhe përfshirja në listë bëhet  mbi bazën e kodit të banimit.

Ndaj, në zbatim të nenit 51 pika 4 e Kodit Zgjedhor, 30 ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, Zyrat e Gjendjes Civile pas miratimit nga kryetari i njësisë vendore kanë printuar dhe publikuar ekstraktin e përbërësve zgjedhor të të gjithë shtetasve që kanë vendbanimin në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e çdo zyre.

Njesitë e qëverisjes vendore duhet të kenë në vemendje që publikimi të bëhet në mënyrë të përsëritur çdo 30 ditë deri në shpalljen e listës përfundimtare të zgjedhësve dhe të pasqyrohet çdo ndryshim i përbërësve zgjedhorë të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, që është bërë nga publikimi paraardhës.

Gjithashtu, KQZ  ju kujton kryetarëve të qeverisjes vendore detyrimin që kanë për të lajmëruar me shkrim çdo zgjedhës të përfshirë në listën zgjedhore të qëndrave të votimit në njësitë e tyre të qeverisjes vendore.

Mos zbatimi i këtij detyrimi nga organet e qeverisjes vendore në zgjedhjet e kaluara, është konstatuar edhe nga misionet vëzhguese ndërkombëtare, të cilat e kanë konsideruar si shkak për pamundësinë e votimit nga disa zgjedhës në zona të ndryshme të vendit.

KQZ-ja është e vendosur të mos tolerojë rastet e shkeljes së dispozitave ligjore nga drejtuesit e institucioneve përgjegjëse dhe për rastet që do të konstatohen do të vendosë sanksionet e parashikuara nga Kodi Zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxit të gjithë qytetarët të cilët kanë të drejtën e votës, përfshirë dhe ata të cilët në datën 30 qershor mbushin 18 vjeç, që të kontrollojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve, të publikuar pranë Zyrave të Gjendjes Civile ku kanë të regjistruar vendbanimin e tyre.

Gjithashtu, të gjithë qytetarët brenda edhe jashtë vendit, mund të kontrollojnë emrin e tyre edhe në listën elektronike të zgjedhësve të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Komisionit www.cec.org.al si edhe dhe në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Brendshme.

 Të gjithë shtetasit të cilët konstatojnë pasaktësi në të dhënat e tyre në listën e zgjedhësve mund ti drejtohen Zyrave të Gjendjes Civile ku kanë të regjistruar vendbanimin e tyre, për të plotësuar apo saktësuar të dhënat e tyre.

Në respektim të nenit 56 pika 1 dhe 3 e Kodit Zgjedhor, Zyra e Gjendjes Civile harton listën përfundimtare të zgjedhësve për çdo qendre votimi, jo më vonë se data 21 maj dhe i dërgohet Komisioneve të Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve jo më vonë së data 26 maj.

Pas datës 21 maj, lista e zgjedhësve nuk mund të ndryshohet, ndaj nxisim qytetarët që të kontrollojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve para kësaj date.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel organeve të qeverisjes vendore të tregojnë përgjegjshmëri në zbatimin e ligjit zgjedhor dhe të informojnë e ndërgjegjsojnë qytetarët për përfshirjen e tyre në ekstraktin e listës zgjedhore.

Shprehja e vullnetit përmes votës është e drejtë themelore dhe në të njëjtën kohë është një detyrë qytetare, ndaj nxisim qytetarët që të kontrollojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve në mënyrë që ditën e zgjedhjeve të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.

Faleminderit!