Deklaratë e KQZ-së mbi skemën e trajnimit të komisionerëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndjek në dinamikë situatën sa i përket emërimeve të anëtarëve të KQV. Pas apelit të një ditë më parë, ka reagim pozitiv nga ana e partive politike, por ende vijojmë të kemi KZAZ pranë të cilave nuk janë depozituar propozimet komisionerë të QV-ve.

Edhe pse nuk jemi në kushtet që të gjithë komisionerët të jenë të emëruar, KQZ ditën e neserme do të fillojë zbatimin e skemës së trajnimit, e cila i është vënë në dispozicion të gjitha KZAZ-ve, partive politike që propozojnë anëtarët e KQV-ve dhe misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it.

Komisionerët e qendrave të votimit të marrin pjesë në mënyrë aktive në trajnim, pasi rritja e tyre profesionale dhe njohja e mirë e ligjit, ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në mirëadministrimin e procesit zgjedhor dhe në arritjen e standardeve të kërkuara zgjedhore.

KQZ  ndryshe nga vitet e tjera, ka  parashikuar që trajnimi do të zhvillohet në oraret e pasdites, 16.00-18.30, me qëllim për të shmangur pengesat për të marrë pjesë në trajnim.

Trajnimet do të zhvillohen në ambjentet e shkollave, gjë e cila u arrit në sajë të bashkëpunimit të suksesshëm me Ministrinë e Arsimit.

Sa më sipër, KQZ ripërsërit apelin për partitë politike që të dorëzojnë brenda ditës së sotme të gjithë propozimet për komisionerët e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-ve përkatëse.

Njëkohësisht apeli shkon edhe për komisionerët, të cilët pjesëmarrjen në trajnim e kanë detyrim të ngarkuar nga Kodi Zgjedhor.

Faleminderit.