Deklaratë e KQZ-së, lidhur me veprimet e disa kryetarëve të bashkive.
Sot, kryetaret e bashkive Mat, Kamëz, Kavajë, Gjirokastër, Dropull, Përmet, Delvinë, Shkodër, Tropojë, kanë kërkuar shkresërisht lirimin e mënjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur selitë e KZAZ-ve dhe Vendet e Numërimit të Votave, si edhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve ose heqjen tyre nga ambjentet e shkollave që janë në administrim të bashkive.
Gjithashtu, edhe kryetarët e bashkive Peqin dhe Përrenjas, kanë ndërmarrë veprime përmes të cilave nuk po lejojnë KZAZ-të të ushtrojnë detyrat e tyre në ambjentet e selive të KZAZ-ve apo VNV-ve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vlerëson se këto kërkesa dhe veprime janë në shkelje flagrante të dispozitave të Kodit Zgjedhor, parimeve të përgjithshme të tij, dhe i ngarkojnë kryetarët e këtyre bashkive me përgjegjësi penale dhe administrative sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Kuvendi i Shqipërisë përmes Rezolutës “Mbi aktin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10 928, datë 5.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më datë 14 qershor:
- ka kërkuar që KQZ të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019, në zbatim të dekretit të Presidentit nr. 10 928, datë 5.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”;
- ka bërë thirrje për të gjithë organet publike, që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor 2019, të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Sa më sipër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sjell në vëmendje të kryetarëve të bashkive të sipërcituara se:
- KZAZ-të, në respektim të përcaktimeve të nenit 33 të Kodit Zgjedhor, janë përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor në Bashkitë përkatëse sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të nxjerra nga KQZ;
- KZAZ-të në zbatim të detyrimit të përcaktuar në nenin 56, pika 3, të Kodit Zgjedhor kanë detyrimin për të afishuar listat e zgjedhësve pranë qendrave të votimit përkatëse.
- KQZ me vendime, ka caktuar vendodhjen e VNV-vë në ambientet për të cilat kërkohet lirimi i menjëhershëm në një kohë kur ligji zgjedhor i detyron të gjithë strukturat e pushtetit vendor që ti vënë këto ambjente në dispozicion të KZAZ-ve dhe të krijojnë kushte për mbarëvajtjen e punës për përgatitjen e procesit.
Duke ndarë me opinionin publik shqetësimin për situatën e krijuar në këto bashki, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i bën thirrje dhe kërkon reflektimin të menjëhershëm për të mos penguar apo cënuar punën e KZAZ-ve në përmbushje të përgjegjësive dhe detyrave të tyre, pengesa të cilat ndikojnë në punën e KQZ-së mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019.
Në rast të mosreflektimit pas këtij komunikimi, vijimit të qëndrimeve apo veprimeve në cënim të punës për administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, KQZ në përmbushje të detyrës dhe përgjegjësive të tij, do të ndërmarrë veprimet sipas përcaktimeve të ligjeve në fuqi, për të shmangur çdo pengesë apo qëndrim që tenton të cënojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019.