Komisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti në takim Ambasadorin italian Fabrizio Bucci dhe Zv/Ambasadorin Alberto Petrangeli.
Takimi u zhvillua në kuadër të përgatitjeve të procesit zgjedhor të datës 25 prill 2021.
Zoti Celibashi e njohu Ambasadorin me punën e bërë deri tani, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në dy çështjet prioritare sikurse janë identifikimi biometrik i zgjedhësve dhe votimi nga jashtë i shtetasve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ai u shpreh se KQZ është e vendosur që të çojë para këtë proces duke garantuar transparencë të plotë dhe përgjegjësi, pavarësisht pengesave me të cilat institucioni mund të përballet.
Ambasadori Bucci vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve politik për implementimin e plotë të reformës zgjedhore.
Të dyja palët evidentuan faktin se marrëdhënia ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë qëndron mbi baza të forta historike edhe për shkak të kontributit që kanë dhënë shqiptarët që jetojnë në Itali.