Tiranë, më 31.10.2012

Anëtarët e KQZ-së takohen nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani

Trupa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u prit sot në takim nga Presidenti i Republikës, SHTZ Bujar Nishani. Kreu i Shtetit, duke uruar KQZ-në e re për detyrën, shprehu bindjen për integritetin në punën e saj, si dhe siguroi për mbështetjen e Tij në kuadër të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Presidenti i Republikës inkurajoi anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në sfidat që kanë përpara të orientohen vetëm nga Kushtetuta, e drejta dhe ligji zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet u takojnë qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë “domain” i asnjë force politike, si dhe kërkoi ngritjen sa më shpejt të një infrastrukture ligjore, administrative dhe logjistike që do të ndihmonte në mbarëvajtjen e punës së institucionit.
Kryetarja Lefterije Lleshi në emër të gjithë trupës së KQZ-së, duke falenderuar Presidentin Nishani për mbështetjen e ofruar ndaj institucionit, siguroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në punën e tij do të jetë i orientuar vetëm nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE