Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerja zj. Lealba Pelinku pritën në takim Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Vincenzo Del Monaco, i cili shoqërohej nga Këshilltari për Reformën Zgjedhore, z. Florian Hobdari.
Komisioneri Celibashi e njohu Ambasadorin me përgatitjet për zgjedhjet e datës 25 prill 2021, duke vënë theksin tek dy çështjet prioritare sikurse janë implementimi i teknologjisë në zgjedhje dhe votimi nga jashtë i shtetasve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ai tha se, “Janë procese të komplikuara dhe ne nuk kemi eksperienca të tilla në Shqipëri. Aktualisht janë finalizuar kriteret teknike të detajuara për projektet teknologjike, ndërsa sa i përket votës së emigrantëve, Grupi i Punës është duke finalizuar raportin e detajuar mbi vlerësimin e mundësive dhe metodave të votimit nga jashtë”.
Zoti Celibashi u shpreh se, këto çështje janë të komplikuara nga ana teknike, por ajo çfarë është më e rëndësishme është besimi i qytetarëve dhe aktorëve të interesuar në këtë proces. Komisineri garantoi se për të ofruar transparencë të plotë, do të ketë proces konsultimi me të gjithë aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor, jo vetëm për implementimin e teknologjisë dhe votën e emigrantëve, por për çdo veprimtari të KQZ-së.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Vincenzo Del Monaco u shpreh se “Transparenca është shumë e rëndësishme për një përceptim sa më të saktë nga qytetarët dhe për legjitimitetin e zgjedhjeve. E vlerësoj anagazhimin tuaj maksimal për të implementuar teknologjinë në zgjedhje pasi është një process me risk të lartë dhe të cilin mendoj se do ta kaloni me sukses, por vlen të theksoj rëndësinë e testimit të pajisjeve. Koha që keni në dispozicion nuk premton shumë”.
Të dy palët ndanë ide për projekte konkrete ku do të fokusohet bashkëpunimi mes KQZ-së dhe OSBE-së si; trajnimi administratës zgjedhore, edukimi qytetar, Personat me Aftësi të Kufizuar, grupet e margjinalizuara, studime dhe analiza të vendeve të tjera për votimin në kushtet e pandemisë e tjë tjerë.