Pas mbledhjes së ditës së sotme, Kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba dha një prononcim për mediat të cilat ishin prezent.

Prononcimi i plotë i Kryetarit të KQZ-së, z. Denar Biba.
Zj. Denisa Pasholli: Z. Biba në lidhje me mbledhjen e sotme dhe projektvendimet që u shtynë për ditën e neserme, a po tenton KQZ-ja me këtë propozim të ri që ka ardhur nga administrata të penalizojnë partitë e vogla apo partitë e reja si Libra?
Z. Denar Biba: Më vjen jashtëzakonisht shumë keq që partitë të tilla, të reja, të cilat supozohet se do të sjellin moralin dhe drejtësinë në politikën shqiptare, tentojnë përmes veprimesh realisht të padrejta dhe paragjykuese për vendimmarrjen e KQZ-së, qasje krejtësisht të pamoralshme nga këto parti, të fitojnë vëmendje nga qytetarët duke u sjellë si viktima të vendimmarrjeve hipotetike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ ende nuk e ka marrë vendimin. Ndoshta nesër të gjithë do të surprizoheni dhe do të surprizoheni për mirë pas vendimit të KQZ-së. Paragjykimi nuk ndihmon askënd dhe e theksoj se sjellja si viktimë, në fund të fundit vetëm do të tregojë se me çfarë bazash morale sillen këta njerëz.
Zj. Denisa Pasholli: Z. Kryetar kjo do të thotë që zoti Blushi, partia LIBRA, të regjistrohet?
Z. Denar Biba: Unë nuk merrem as me z. Blushi, e as me partinë e tij. Ju lutem vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jetë nesër, mos e paragjykoni Komisionin, besoni tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe do të shikoni që nuk do të zhgënjeheni.
Z. Ergys Gjençaj: Z. Biba përsa i përket punës dhe vendimmarrjes së KQZ-së, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë publike se ka paditur penalisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mosrespektimin e ligjit për dekriminalizimin, si edhe kërkon heqjen e mandatit të deputetit Armando Prenga, në bazë të këtij ligji.
Z. Denar Biba: Të dy këto akte të Prokurorisë, unë i mësova prej jush, këtu, përpara se të niste kjo konference për shtyp. Këto akte nuk kanë ardhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, asnjëri prej tyre. Nuk mund të bëj asnjë koment, përveç faktit që më vjen keq që, 4-5 muaj para procesit të zgjedhjeve, institucioni që do të menaxhojë procesin e zgjedhjeve në Republikë, vihet nën këtë trysni dhe nën këtë presion, krejtësisht të panevojshëm.
Z. Ergys Gjençaj: Presion politik ndoshta?
Z. Denar Biba: Atë gjykojeni ju dhe le ta gjykojë dhe publiku.
Faleminderit.