Deklarata e Zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj.
Në kuadër të përmbushjes së përgjegjësive dhe rolit që KQZ ka për mirëorganizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, ndodhemi në fazën e trajnimit të komisionerëve të Qendrave të Votimit. Në bazë të Strategjisë së Trajnimit të komisionerëve zgjedhorë, miratuar me vendim nga KQZ, u zhvilluan 8 sesione trajnimi me 280 trajnerë të angazhuar nga KQZ, të cilët do të trajnojnë në të gjithë territorin e vendit anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit.
Trajnimi i Komisionerëve të QV do të realizohet në bazë të një programi të mirëstudiuar me datat, oraret dhe vendet përkatëse në të gjithë Shqipërinë.
Në vlerësim të rëndësisë së trajnimit, i cili ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në rritjen e profesionalizimit të Komisioneve Zgjedhore të nivelit të tretë, programi i trajnimit do të shtrihet në të gjitha njësitë administrative për të shmangur vështirësitë e pjesmarrjes së komisionerëve në trajnim.
Ky kalendar, i është vënë në dispozicion partive politike të cilat gëzojnë të drejtën e propozimit të anëtarëve të këtyre Komisioneve, me qëllim bashkërendimin e punës në funksion të trajnimit me efikasitet të të gjithë komisionerëve të emëruar.
Programi i trajnimeve do të zhvillohet për një periudhë kohore, nga data 12 qershor deri në datën 18 qershor, për 37 mijë komisionerë.
Materialet që do të përdoren në trajnim, si: Manuali i KQV-së dhe Fletorja e punës e cila përmban të gjithë dokumentacionin që do të përdoret prej tyre gjatë administrimit të procesit, janë hartuar e prodhuar me standarde bashkëkohore, për të qënë të qarta dhe të kuptueshme, me qëllim qartësimin e procedurave ligjore dhe përvetësimin me lehtësi nga ana e komisionerëve.
Metodologjia që do të përdoret në trajnim, është ndarë mes teorisë dhe demonstrimit praktik të veprimeve në QV dhe synon rritjen e kapaciteteve dhe aftësimin praktik të komisionerëve .
Për herë të parë, për t’i ardhur në ndihmë komisionerëve në përmbushjen e detyrave të tyre, është realizuar një video e cila sjell vizualisht të gjitha procedurat ligjore që komisionerët duhet të zbatojnë gjatë ditës së votimit.
Ndërkohë, përmes këtij komunikimi publik, KQZ i bën apel të gjithë administratorëve të objekteve ku janë të vendosura Vendet e Numërimit të Votave, që të krijojnë aksesin dhe lehtësimin e nevojshëm që KZAZ-të të mos pengohen në punën e tyre për përgatitjen e vendeve të numërimit të votave me të gjithë infrastrukturën e nevojshme që mbart me vete ky proces.
Duke marrë në konsideratë fazën në të cilën ndodhet procesi zgjedhor, i’u bëjmë thirrje të gjitha mediave që të dorëzojnë sa më shpejt pranë KQZ-së për akreditim, listat e gazetarëve dhe operatorëve të cilët do të raportojnë ditën e zgjedhjeve.