Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve , z. Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerja, znj. Lealba Pelinku të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, kanë marrë sot zyrtarisht detyrën. Ata u pritën nga ish-kyetari i KQZ-së, z. Klement Zguri. Prezantimi i z. Celibashi dhe i znj. Pelinku u bë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z. Genci Gjonçaj.
Zoti Celibashi deklaroi se veprimtaria e tij si Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve por edhe e KQZ do të karakterizohet nga disa parime kryesore si: integriteti, paanësia, transparenca dhe ligjshmëria.
“Sfida kryesore për ne është çështja e teknologjisë së informacionit. Ne do bëjmë të pamundurën që ta realizojmë këtë proces, por koha ka bërë që edhe çështje të tjera të përgatitjes dhe administrimit zgjedhor të jenë me rëndësi”,- tha ai.
Ndërsa, Nënkomisionerja, znj. Pelinku tha se falë angazhimit maksimal dhe bashkë punimit konstruktiv, sfidat me të cilat do të përballet KQZ në këtë proces zgjedhor do të përballohen me sukses.