Maturantët e Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Ismail Qemali”, ishin pjesëmarrës në sesionin e edukimit dhe trajnimit zgjedhor që KQZ organizoi për ta.
Duke i uruar të rinjve mirëseardhjen, anëtarja e KQZ-së znj. Edlira Jorgaqi, i shoqëroi ata në mjediset e Institucionit dhe i njohu me strukturën administrative dhe veprimtaritë kryesore të KQZ-së për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve.
“Sistemi zgjedhor, cikli zgjedhor, administrata zgjedhore, media, vëzhguesit, institucionet e ngarkuara me detyra nga Kodi Zgjedhor”, ishte tema që u trajtua në formë bashkëbisedimi me të rinjtë në Sallën e Trajnimeve të KQZ-së. Duke i njohur të rinjtë me garancitë ligjore për ushtrimin e të drejtës së zgjedhjes në mënyrë të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë, theksi u vu në rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, rëndësinë e votës si shprehje e vullnetit të lirë dhe të pandikuar, nxitjen e interesit të të rinjve për tu informuar në vijimësi për çështje zgjedhore në funksion të krijimit të kulturës së tyre zgjedhore, komponent i rëndësishëm i kulturës qytetare, që çdo shtetas duhet ta dëshmojë si përgjegjshmëri individuale për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.
Simulimi i procesit të votimit, ku të rinjtë u angazhuan si komisionerë, votues dhe vëzhgues, i ndihmoi ata për qartësimin praktik të mënyrës së kryerjes së procedurave në Qendrën e Votimit, për të drejtat dhe detyrimet e zgjedhësit po ashtu edhe të komisionerëve zgjedhorë.
Në mbyllje të veprimtarisë, duke vlerësuar energjinë, vizionin dhe interesin e të rinjve, si dhe dhe gadishmërinë e Drejtorisë së Shkollës së Mesme “Ismail Qemali” për bashkëpunim, KQZ u shpreh e gatshme të ofrojë për ta sesione për tema të tjera për çështje zgjedhore, si dhe të mundësojë angazhimin vullnetar të tyre në fushatën informimuese dhe sensibilizuese që do të zhvillojë për zgjedhjet vendore 2019.