Në kuadër të Ditës së Shkopit të Bardhë – simbol i personave që nuk shikojnë , në ambientet e Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë, KQZ zhvilloi një sesion edukimi zgjedhor me nxënësit dhe mësuesit e këtij institucioni.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vijim të programeve specifike për të siguruar aksesueshmërinë në informacion të personave që nuk shikojnë, ka realizuar në alfabetin “braille” një modul trajnimi me njohuri zgjedhore, veprat penale që cënojnë votën e lirë dhe demokratike, procedurat që ndjek zgjedhësi me aftësi të kufizuara në votim, specifikisht për mënyrën e përdorimit nga zgjedhësi që nuk shikon të maskës me alfabetin “braille”.
Ky modul, përshtatur për specifikat e një prej grupimeve kryesore të zgjedhësve me aftësi të kufizuara, i përgatitur falë bashkëpunimit me Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë, shënon përpjekjen e radhës së KQZ në drejtim të edukimit, informimit dhe sensibilizimit për çështje zgjedhore të grupimeve shoqërore me nevoja të veçanta.
Trajtimi i njohurive zgjedhore edhe në formë të shkruar në alfabetin “braille”, u vlerësua nga nxënësit dhe mësuesit si forma e duhur për transmetimin në mënyrë të qëndrueshme të njohurive për procesin zgjedhor.