Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri dhe Zëvëndëskryetari z. Denar Biba pritën në një takim delegacionin e ODIHR, z. Raul Muresan, Koordinator i projektit “Mbështetje për Zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor”, zj. Nicola Schmidt, Këshilltare e Lartë për Zgjedhjet dhe z. Alexey Gromov, Këshilltar për Zgjedhjet.
Takimi u zhvillua në kuadër të projektit të përbashkët BE-ODIHR, për përmirësimin e sistemit zgjedhor në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe fokusohet në përpjekjet e vendeve të rajonit për zbatimin e rekomandimeve në tre fusha kryesore; Menaxhimi i zgjedhjeve, Regjistrimi i votuesve (i fokusuar jo tek regjistrat por tek procesi), dhe Sjellja e mediave gjatë fushatave zgjedhore.
Gjatë takimit u diskutua mbi nevojat për mbështetje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kanë të bëjnë me përmirësimin e aspekteve të ndryshme të proceseve zgjedhore.
Kryetari i KQZ-së, z. Zguri e njohu delegacionin me gjetjet dhe rekomandimet e nxjerra nga analiza e punës së bërë nga Administrata e KQZ-së, si dhe fushat ku ODIHR mund të asistojë dhe mbështesë KQZ-në në punën e tij, për përmirësimin e proceseve zgjedhore.
Gjatë qëndrimit në Shqiperi, delegacioni i OSBE/ODIHR ka zhvilluar takime dhe me aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor.
Kjo vizitë do t’i shërbejë delegacionit për njohjen me situatën, ku qëndron Shqiperia me zbatimin e rekomandimeve te bera per zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare.
Sipas z. Muresan, do të reflektohet mbi gjetjet dhe do të jepen rekomandime se si mund të ndihmojë OSBE/ODIHR në zbatimin e tyre.