Në përmbyllje të afatit ligjor për shpalljen e rezultateve të votimit të zgjedhjeve të 25 qershorit, jam këtu për t’ju bërë thirrje të gjithë komisionerëve të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe anëtarëve të grupeve të numërimit të votave, të angazhohen për të mbyllur dhe tabeluar rezultatin e zgjehdjeve.
Dua t’i siguroj keta komisionerë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është këtu për të qenë në krah të tyre, për t’i ndihmuar ata për çdo kërkesë e cila përshpejton mbylljen e numërimit të çdo vote. Po ashtu, jam këtu për tu kujtuar se në këto zgjedhje ata kanë shansin të tregojnë se në Shqipëri mund të votohet e numërohet me profesionalizëm dhe në transparencë të plotë. Komisionerët kanë shansin që në këto zgjedhje të sigurojnë një standard të ri, atë të përmbylljes së një procesi brenda afateve që parashikon ligji.
Nga ana tjetër, kujtoj këtu se numërimi i votave është një proces i pandalshëm dhe do të vijojë deri në leximin e votës së fundit të hedhur në kuti nga qytetarët shqiptarë.
Për këtë arsye, është momenti për tu bërë thirrje subjekteve zgjedhore që të kontribuojnë në përmbylljen me sukses të këtij procesi, duke inkurajuar komisionerët dhe numëruesit e tyre të vijojnë numërimin e votave.
Përmbyllja e këtij procesi i shërben edhe vetë subjekteve në këtë garë elektorale.
Deri në këto momente procesi i numërimit ka vijuar normalisht, me disa raste të ndërprerjes së numërimit për shkak të lodhjes së shfaqur nga ana e numëruesve apo ndonjë incidenti që është ndjekur hap pas hapi nga KQZ. Për çdo rast, KQZ ka treguar gadishmërinë për të ofruar zgjidhje dhe për të inkurajuar numërimin e votave.
Nga ana tjetër, pa u mbyllur ende ky proces, vlen të theksoj se administrimi i zgjedhjeve ka shënuar një standard të ri pozitiv, dhe kjo u vlerësua edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR.
KQZ shpreson që ky vlerësim i vëzhguesve të OSBE/ODIHR, të shërbejë si inkurajim edhe për forcat politike në Shqipëri, për mbylljen e këtij procesi në mënyrë profesionale, transparente dhe brenda afatit ligjor.