Me ftesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Gjeorgjisë, Kryetarja e KQZ-së, znj. Luzi, vëzhgoi zgjedhjet lokale të datës 15 qershor 2014. Kryetarja e KQZ së Gjeorgjisë, znj. Tamar Zhvania, në takimin e zhvilluar në KQZ, me 30 përfaqësuesit e 13 trupave zgjedhore të vendeve të ndryshme, pas dhënies së akreditimit si vëzhgues për ta, bëri një prezantim të punës, përgatitjeve dhe pritshmërisë së KQZ-së së Gjeorgjisë për organizimin dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve, kuadrit nënligjor të hartuar, masave organizative dhe logjistike të ndërmarra për administrimin e tyre. Znj. Zhvania, duke falenderuar homologët nga vende të ndryshme të botës për angazhimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve në Gjeorgji, u shpreh se vëzhgimi i zgjedhjeve nga profesionistë zgjedhorë, është shumë i vlerësuar në kuadër të transparencës së procesit.

Përfaqësuesit e trupave zgjedhore të vendeve të ndryshme, vëzhguan ecurinë e votimit në një numër të madh qendrash votimi në rajone të ndryshme zgjedhore, hapjen dhe mbylljen e tyre, si dhe menaxhimin nga ana e KQZ-së të ecurisë së procesit. Administrimi i aspekteve të ndryshme organizative dhe logjistike të zgjedhjeve në Gjeorgji, si evidentimi i gjinisë së votuesve në listën e zgjedhësve, transmetimi gjatë ditës së votimit i të dhënave për pjesëmarrjen e zgjedhësve në votime, si dhe materialet trajnuese në ndihmë të komisionerëve zgjedhorë, ishin një eksperiencë e mirë, aspekte të së cilës mund të implementohen nga KQZ, në përputhje me kuadrin ligjor zgjedhor shqiptar. Kryetarja e KQZ-së, znj. Luzi, gjithashtu vizitoi Qendrën e Zhvillimeve të Sistemeve Elektorale, Reformave dhe Trajnimeve, ent publik i krijuar me ligj në vitin 2010. Znj. Luzi, në takimin me Drejtoren e Qendrës, znj Natia Zaalishvili, u njoh nga afër me platformën e suksesshme të trajnimit të komisionerëve zgjedhorë në Gjeorgji, për të cilën kjo qendër është nderuar me çmimin “International Election Award 2013”, organizuar nga Qendra për Studime Parlamentare (ICSP).

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE