Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kuadër të masave për organizimin e programeve sa më efikase për edukimin zgjedhor të shtetasve, po kryen anketim të target grupeve të ndryshme të popullatës. Nëpërmjet kësaj veprimtarie synohet testimi i njohurive të zgjedhësve për aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor, si dhe evidentimi i mënyrave/formave që sjellin fushatën edukuese/informuese/sensibilizuese të KQZ sa më pranë tyre.

Anketimi, nëpërmjet një pyetësori më specifik, po zhvillohet me gratë, kryesisht ato të zonave rurale ku evidentohet fenomeni i votimit familjar, të moshuarit, dhe të rinjtë që do të jenë votues për herë të parë në vitin 2015. Bazuar në gjetjet e anketimit, për këto target grupe që për vetë specifikat e tyre kanë qenë në fokus të fushatave edukuese të KQZ-së, do të hartohen programe të veçanta duke synuar informim më të plotë për procedurat e momenteve të ndryshme të votimit, gjetjen e mënyrave më bashkëkohore për sensibilizim për pjesëmarrje në votime, dhe veçanërisht gjetjen e mënyrave sa më efikase për sensibilizim e grave për ushtrimin e të drejtës së votës në mënyrë të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të pandikuar.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE