Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka prezantuar sot programin kompjuterik për Sistemin e Manaxhimit të të Mësuarit (Learning Management System, LMS).

Sistemi i Manaxhimit të të Mësuarit (Learning Management System) është një sistem trajnimi online i instaluar në serverat e KQZ-së dhe synohet që të përdoret në zgjedhjet e ardhshme për trajmin e administratës zgjedhore të të gjitha niveleve.
Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi (Lleshi) tha se ky sistem, do të shërbejë për mësimin në distancë dhe ata që do ta shfrytëzojnë këtë sistem janë kryesisht anëtarët e komisioneve zgjedhore të shpërndarë në të gjithë vendin, si të komisioneve të ZAZ-ve, të QV-ve dhe grupet e numërimit.
“Sistemi i Manaxhimit të të Mësuarit (Learning Management System), mund të përdoret dhe nga grupe të tjera të interesuara, në varësi edhe të mundësive teknike që KQZ do të administrojë në të ardhmen. Në këto target grupe mund të jenë përfaqësues të subjekteve zgjedhore, vëzhgues të ndryshëm e të tjerë”, tha Zj. Luzi (Lleshi).

Sistemi i Manaxhimit të të Mësuarit online (Learning Management System) është një program kompjuterik i përgatitur me mbështetjen financiare të USAID dhe atë teknike të IFES.
Sistemi LMS është instaluar në një nga serverat e KQZ-së dhe Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit ka bërë administrimin teknik.
Aktualisht administrata e KQZ-së është duke e testuar sistemin dhe synohet që para zgjedhjeve të ardhshme për organet e qeverisjes vendore, të vitit 2015, të jenë përgatitur të gjitha kurset e nevojshme dhe të jenë vënë në dispozicion të grupeve të interest, për t’i përdorur për rritjen e njohurive të tyre zgjedhore.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE