Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi zhvillon një takim me Drejtoreshën Rajonale të UN Women, znj. Ingibjorg Gisladottir

Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi zhvilloi një takim me Drejtoreshën Rajonale të UN Women, znj. Ingibjorg Gisladottir, e cila shoqërohej nga Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, z. David Saunders. Diskutimi u përqendrua në bashkëpunimin e suksesshëm të KQZ-së dhe UN Women në një sërë fushash, si përgatitja e paketës së rekomandimeve të përmirësimit të Kodit Zgjedhor nga pikëpamja gjinore dhe forcimin e zbatimit të kuotës gjinore, përmirësimin e grumbullimit dhe analizës së statistikave zgjedhore të ndara sipas gjinisë, rritjen e aksesit të votueseve në proceset zgjedhore, e të tjerë.
Për zgjedhjet e ardhshme lokale 2015 u diskutua mundësia e rritjes së bashkëpunimit me institucionet homologe në rajon për shkëmbimin e eksperiencave pozitive dhe rritjen e fokusit në pjesëmarrjen e grave dhe vajzave si kandidate, komisionere dhe votuese në proceset zgjedhore. Për këtë qëllim KQZ-ja parashikon edhe rishikimin e strategjisë së edukimit të votuesve me fokus të veçantë tek pjesëmarrja e grave dhe votuesve për here të parë. Drejtoresha Rajonale znj. Glisladottir vlerësoi arritjet e KQZ-së në këtë fushë dhe shprehu mbështetjen e mëtejshme të UN Women për përmbushjen e objektivave mbi barazinë gjinore në proceset zgjedhore që ndihmojnë arritjen e standarteve demokratike në këto procese.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE