Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi, në datat 19 dhe 20 tetor 2015, me ftesë nga Autoriteti Elektoral Permanent i Rumanisë, mori pjesë në workshop-in “ Kodifikimi i Ligjit Zgjedhor”.
Ky workshop u organizuar nga Komisioni i Venecias në bashkëpunim me Autoritetin Elektoral Permanent dhe u mbajt në Bukuresht të Rumanisë.
Të pranishëm ishin ekspertë të Komisionit të Venecias, përfaqësues nga organizata të ndryshme jo fitimprurëse, të cilat kanë si objekt të veprimtarisë së tyre të drejtat e njeriut dhe çështjet zgjedhore, si IDEA, OSBE/ODIHR, përfaqësues nga Trupat Zgjedhore të vendeve të ndryshme të Evropës, përfaqësues të lartë të institucioneve publike të Rumanisë, diplomatë, etj.
Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi në prezantimin e saj në këtë workshop solli eksperiencën shqiptare në implementimin e parimeve kryesore të trashëgimisë elektorale të Komisionit të Venecias në Kodin Zgjedhor shqiptar dhe veçanërisht në ngritjen dhe funksionimin e administratës zgjedhore.
Prezantimi i Kryetares së KQZ-së së Shqipërisë, zj. Luzi, solli interes tek të pranishmit, si një eksperiencë e vlefshme për t’u konsideruar edhe në vendet e ndryshme pjesëmarrëse në këtë event.
Pjesëmarrësit në workshop ndanë eksperiencat e vendeve të tyre në legjislacionin zgjedhor, sfidat me të cilat përballen dhe pritshmëritë nga reformat zgjedhore në të ardhmen.