Komisioni Qendror I Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi me 4 vota pro:
– Projektvendimin “ Për ndreqjen e një pasaktësie në vendimin nr. 340, datë 11.05.2013, “Për miratimin e listave shumëemërore të Partisë Demokratike për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013” dhe në vendimin nr. 759, datë 06.08.2013, “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23.06.2013”. KQZ vendosi të ndreqë pasaktësinë në vendimin nr. 340 dhe nr. 759 dhe emri i kanidatit Kosma Vangjel Dashi të bëhet Kozma Vangjel Dashi.
– Projektvendimi “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë kandidatit të radhës të listës shumëemërore të Partisë Demokratike, në Qarkun fier, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë”. Pas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë për vakancën e krijuar për shkak të humbjes së jetës së deputetit të Kuvendit, z. Sokol Olldashi, KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumëemërore të Partisë Demokratike, Qarku Fier, z. Bedri Mihaj.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE