Deklarata e Zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbështetje të nenit 15/2, neni 23, të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për Partitë Politike”, i ndryshuar me ligjin nr. 10374, datë 10.02.2011, si dhe akteve të miratuara nga KQZ, ju kujton partive politike detyrimin për të depozituar raportet financiare vjetore të vitit 2013, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partitë Politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, në mbështëtje të nenit 23 të ligjit për “Partitë Politike” kanë detyrimin që të depozitojnë raportin financiar një herë në vit pranë KQZ-së.

Raportet duhet të jenë sipas regullave për raportimin e financimit, për monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike. Sipas dispozitës së sipërcituar raportet financiare duhet të përmbajnë informacion të hollësishëm për: a) burimet e financimit në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; b) shpenzimet c) subjektet e lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë partia politike.

Raportet duhet të depozitohen nëpërmjet personave përgjegjës për financat e partive politike sipas formateve të standardizuara për raportimet financiare vjetore të miratuara me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me aktet nënligjore ka përcaktuar datën 31 mars të çdo viti si afat kohor të dorëzimit të raporit vjetor financiar të partive politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre shqetësimin se nga partitë politike të regjistruara në Gjykatë, deri tani këtë raport e kanë dorëzuar vetëm 6 parti politike, PD, PS, PDIU, LSI, FRD dhe PBDNJ. Në bazë të nenit 23/2 pika 6, nenit 23/4 pika 4 mosrespektimi i këtij detyrimi dhe shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara, të miratuara nga KQZ, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përputhje me nenin 23 pika 3 e Ligjit për “Partitë Politike”, ju bën apel partive politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës që të zbatojnë ligjin dhe të sjellin raportet vjetore financiare brenda datës 31 mars 2014.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE