Deklaratë e Zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj
Komisioni Qendor i Zgjedhjeve informon se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëve të votimit për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Kolonjë, për 36 qendrat e votimit.
Sipas rezultatit paraprak kandidati i propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, z. Ilia Stefo ka marrë 5136 vota (62.86%), ndërsa kandidati i propozuar nga koalicioni “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, z. Dritan Hajro ka marrë 3035 vota (37.14%)
Rezultatet paraprake për çdo kuti të fletëve të numëruara u raportuan në kohë reale nga KZAZ në Qendrën e të Dhënave të KQZ-së, rezultate të cilat u shfaqen edhe në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së.
Theksojmë se Tabela Përmbledhëse e Rezultateve të Zgjedhjeve të ZAZ nr. 73, Kolonjë, për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, miratohet dhe shpallet me vendim nga KZAZ-ja nr. 73.
KQZ është në pritje të marrjes në dorëzim nga KZAZ-ja 73, të çdo materiali zgjedhore (kuti votimi, kuti të materialeve zgjedhore, vulat, e të tjerë), të çdo dokumentacioni zgjedhor të administruar nga KZAZ-ja, veçanërisht Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit të Zgjedhjeve në këtë bashki, si dhe tabelat origjinale të rezultateve të çdo Qendre Votimi.
Së fundi, në zbatim të detyrimeve ligjore, pas përfundimit të afatit kohor të ankimit në KQZ të vendimit të KZAZ nr.73, e cila është jo me vonë së 5 ditë nga shpallja e vendimit për miratimin e tabelës përmbledhese të Rezultatit të Zonës Zgjedhore Bashkia Kolonjë, KQZ në zbatim të nenit 2, pika 18, germa b, të Kodit Zgjedhor, shpall rezultatin përfundimtar të votimit për kandidatin për Kryetar të Bashkisë Kolonjë.
Faleminderit!