Tennessee-SHBA, Kryetarja e KQZ-së merr pjesë në Konferencën vjetore IACREOT, vlerësohet me Çertifikatë Mirënjohje.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi me ftesë të Shoqatës Ndërkombëtare të Zyrtarëve Zgjedhorë IACREOT mori pjesë në Konferencën Vjetore që u organizua nga IACREOT dhe NACRC e cila u mbajt në Memphis, Tennessee SHBA.
Shoqata Ndërkombëtare e Zyrtarëve Zgjedhor dhe Financierëve (IACREOT) është një nga organizatat më të suksesshme në Shtetet e Bashkuara, me më shumë se 500 anëtarë aktivë, që përfaqësojnë organizatat dhe agjensitë lokale, shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nën moton e konferencës “Së bashku më të fortë – Edukimi i Liderëve të cilët mund t’i shërbejnë komunitetit për një të ardhme më të mirë në fushën e zgjedhjeve”, u bënë bashkë zyrtarë të lartë në fushën e zgjedhjeve nga shumë vende të botës, të cilët ndanë idetë dhe eksperiencat për zhvillime të mëtejshëme në fushën e zgjedhjeve. Gjatë konferencë u ekspozuan zhvillimet më reja teknologjike nga kompanitë që operojnë në fushën e zgjedhjeve, financave, e të tjerë.
Në sesionin kushtuar zgjedhjeve, Kryetarja e KQZ-së, e cila ishte dhe e ftuar nderi, bëri një prezantim lidhur me zgjedhjet në Shqipëri.
Zonja Luzi i njohu pjesëmarrësit me kuadrin ligjor, sistemin zgjedhor, administratën zgjedhore, duke u ndalur në aspekte të veçanta të administrimit të proceseve zgjedhore në vendin tonë, si: profesionalizimi i administratës zgjedhore, edukimi zgjedhor, financimi partive politike, zhvillimi i fushatave zgjedhore, e të tjerë.
Ndër të tjera, Kryetarja e KQZ-së theksoi sfidat e së ardhmes, si depolitizimi dhe profesionalizmi i administratës zgjedhore, ku rol do të lunate ngritja dhe funksionimi i Qendrës së Trajnimit, fuqizimin e mekanizmave për monitorimin e financimit të partive politike dhe për monitorimin e fushatës zgjedhore në media etj, duke shprehur besimin që këto aspekte do të kenë vëmendjen dhe marrin zgjidhjen e duhur nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Shoqata Ndërkombëtare e Zyrtarëve Zgjedhorë dhe Financierëve (IACREOT) e vlerësoi Kryetaren e KQZ-së me “Çertifikatë Mirënjohje”, për njohuritë dhe ekspertizën që zj. Luzi ndau me anëtarët e shoqatës, gjatë Konferencës Vjetore të IACREOT/ NACRC.